Cassano sulmon Allegrin dhe Taren: Do të largohet bashkë me atë që e solli
Antonio Cassano ka hedhur kritika të forta ndaj trajnerit të Milanit, Massimiliano Allegri, duke pretenduar se aventura e tij te kuqezinjtë do të marrë fund sapo të mbyllet sezoni aktual. Ish-futbollisti italian është shprehur se tekniku po përpiqet të kontrollojë narrativën publike përpara shkarkimit të mundshëm.
Sipas Cassanos, Allegri po mundohet të krijojë përshtypjen sikur largimi do të jetë vendim i tij personal: “Ka nisur të përhapë disa mesazhe përmes njerëzve pranë tij. E ka kuptuar se, pavarësisht nëse e mbyll sezonin në vendin e tretë apo të katërt, drejtuesit do të vendosin ta largojnë. Për këtë arsye po tenton të paraqitet sikur po ikën vetë, duke lënë të kuptohet se ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Por realiteti është tjetër, Allegri do të shkarkohet”.
Cassano nuk kurseu as Igli Taren, duke e konsideruar bashkëpërgjegjës për situatën aktuale te Milani. Ai theksoi se drejtori sportiv shqiptar mund të largohet bashkë me trajnerin italian, pasi ishte pikërisht ai që insistoi për emërimin e Allegrit në pankinën kuqezi.
“Nuk arriti t’i jepte identitet skuadrës dhe nuk valorizoi lojtarët. Milani nuk mund të kënaqet me këtë nivel”, deklaroi Cassano.
Më tej, ish-sulmuesi italian mohoi se informacionet që publikon lidhen me bisedat e tij me Zlatan Ibrahimović-in: “Me Ibra-n flas, por vetëm për familjen, pushimet apo tema të tjera personale”.
Në përfundim, Cassano e kritikoi Allegrin edhe për mënyrën si komunikon me mediet, duke e cilësuar si një trajner që shmang debatet taktike: “Kur pyetet për futbollin, ndryshon temë sepse nuk e kupton futbollin”.