SYRI TV/ Raporti IBAR ende i bllokuar, 3 shtete anëtare nuk japin dritën jeshile

Grupi i punës i ekspertëve nga 27 shtetet anëtare të BE-së u mblodh këtë të martë në Bruksel, por nuk arriti të miratojë Raportin IBAR për Shqipërinë. Sipas një burimi të cituar nga mediat e huaja, “tre shtete anëtare nuk kanë dhënë dritën jeshile” për miratimin e raportit. Drafti i ri, i paraqitur sot, ka përfshirë më shumë kushte për Shqipërinë sa i përket luftës kundër korrupsionit, kritereve ekonomike dhe trajtimit të pakicave kombëtare.

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian mbeten të ndara sa i përket miratimit të raportit IBAR për Shqipërinë, i cili vazhdon të mbahet i bllokuar. Grupi i punës i ekspertëve nga 27 shtetet anëtare të BE-së, i njohur ndryshe si COELA, u mblodh këtë të martë në Bruksel, por nuk arriti të miratojë Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve për Shqipërinë. Sipas një burimi nga një vend anëtar në Bruksel, i cituar nga mediat e huaja, “tre shtete anëtare nuk kanë mundur ende të japin dritën jeshile” lidhur me bisedimet që po vazhdojnë për Grupin e parë të kapitujve negociues, të quajtur ‘Bazat’.

Burimet nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi emrat e vendeve dhe mosmarrëveshjet e sakta mbi gjendjen aktuale të reformave në pesë kapituj negociues, por thanë se 27 përfaqësuesit e shteteve anëtare nga grupi COELA do të takohen përsëri këtë javë për bisedime të mëtejshme. Një burim i dytë konfirmoi për mediat mosmarrëveshjet dhe mungesën e dritës së gjelbër nga disa shtete anëtare.

“Jo, jo ende, COELA nuk ka rënë dakord në këtë fazë. Vetëm pas marrëveshjes, dosja shkon te ambasadorët…”, tha burimi i dytë, duke iu referuar grupit më të lartë të njohur si Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm.

Brenda pak ditësh do të ketë një përpjekje tjetër për të gjetur konsensus me shtetet skeptike, pas garancive të reja që pala shqiptare ka paraqitur presidencës qipriote për draftin e Pozicionit të Përbashkët të BE-së, sidomos në mos pengimin e vijimit të punës së SPAK-ut dhe organeve të tjera të drejtësisë. Drafti i ri, i paraqitur si mekanizëm kompromisi nga presidenca qipriote, ka përfshirë gjithashtu më shumë kushte sa i përket luftës kundër korrupsionit, kritereve ekonomike dhe trajtimit të pakicave kombëtare.

Grupi 1 përbëhet nga: Kapitulli 5 (Prokurimi Publik); Kapitulli 18 (Statistikat); Kapitulli 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore); Kapitulli 24 (Drejtësia, liria dhe siguria) dhe Kapitulli 32 (Kontrolli Financiar). Pesë kapitujt negociues të Grupit 1 lidhen drejtpërdrejt me gjendjen aktuale në sistemin gjyqësor të vendit.

Refuzimi që Kryeministri Rama dhe mazhoranca socialiste i bënë kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e skepticizmit mes disa vendeve anëtare të BE-së dhe në bllokimin disa mujor të miratimit të raportit IBAR për Shqipërinë.

Një IBAR pozitiv do të lejonte që procesi të ecë përpara drejt mbylljes përfundimtare të të gjithë kapitujve negociues. Shqipëria, pasi ka hapur të gjithë kapitujt, nuk mund të vazhdojë më tej pa një IBAR pozitiv.