SYRI TV/ Ekskluzive, publikohen videot e Far West, breshëri kallashi mes fëmijëve në Mamurras
Breshëria e kallashnikovëve në një tabakino në Mamurras rrezikoi jetën e fëmijëve që ndodheshin aty pranë. Konflikti mes dy familjeve për pronën për pak sa nuk shkaktoi viktima, ndërsa çështja tani ndodhet në gjykatën e Apelit të Tiranës. Një video e publikuar nga Syri TV tregon të gjithë dinamikën e ngjarjes.
Ngjarja kriminale, ku janë përdorur armë të rënda automatike, ndodhi në prezencë të fëmijëve të mitur, të cilëve u rrezikua seriozisht jeta nga të shtënat e pakontrolluara që vinin nga disa drejtime. Rasti u regjistrua në muajin korrik 2024, në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, por tashmë dosja ka kaluar për gjykim në shkallën e parë dhe në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Sipas dosjes hetimore dhe pamjeve filmike, një grup personash të armatosur, ku bënin pjesë edhe Ardian Ahmeti, si dhe një punonjës i policisë rrugore, Sahit Ahmeti, dyshohet të kenë qëlluar me armë automatike mbi disa persona që ndodheshin në ambientet e tabakinos, buzë rrugës. Pamjet tregojnë qartë se të shtënat e armëve kanë tronditur dhe rrezikuar seriozisht jetën e fëmijëve të mitur, të cilët largohen me shpejtësi, duke u futur në ambientet e tabakinos për t’i shpëtuar plumbave.
Në pamje duket gjithashtu ndërhyrja e oficerëve të policisë kriminale, mes tyre edhe Drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, i cili fillimisht kërkon nga Ylli Sela, që ndodhej në banak, të bëjë një kafe të shkurtër, dhe më pas Ylli Sela arrestohet, duke qëndruar gati 6 muaj në burg.
Kjo përplasje me armë ka si motiv konfliktin për prona mes dy kushërinjve, të cilët nuk arritën ta zgjidhnin paqësisht mosmarrëveshjen. Njëra palë sulmoi palën tjetër me armë zjarri, duke prodhuar skena të rrezikshme, të cilat janë të dukshme në video. Për këtë ngjarje, Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penal nr. 4842.
Në gjykatën e Tiranës, pas dëgjimit të konkluzioneve të mbrojtësve dhe pretencës së prokurorisë, organi gjykues vendosi dënimin me 9 vite burgim për Ardian Ahmetin. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 6 vite burgim. Punonjësi i policisë rrugore, Sahit Ahmeti, u dënua me 5 vjet burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare u reduktua në 3 vite e 4 muaj burgim. Gjykata vendosi gjithashtu që ai të përfitojë shërbim prove, me kusht që të mos kryejë asnjë vepër penale për një periudhë 3-vjeçare.
Tashmë çështja ka mbërritur në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe pritet vendimmarrja e këtij institucioni.