SYRI TV/ GJKKO rrëzon SPAK-un për Irena Gjokën, kthen dosjen mbrapsht në Prokurori
Gjykata ka rrëzuar sot vendimin e prokurorëve të SPAK, të cilët kishin vendosur pushimin e hetimeve për Irena Gjokën. SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, por trupa gjykuese ka rrëzuar sot këtë vendim, duke kërkuar që Prokuroria e Posaçme të kryejë hetimet e duhura, pasi nuk ka ndërmarrë asnjë procedurë hetimore për këtë rast. Gjykata i ka dhënë SPAK 20 detyra, që të mbledhë të gjitha dokumentet e nevojshme, të marrë informacionet e duhura dhe të marrë në pyetje kallëzuesit dhe dëshmitarët për këtë çështje. Jamarbër Malltezi dhe avokati Genc Gjokutaj përshëndetën vendimin dhe vunë në pah të gjitha provat që implikojnë Irena Gjokën, të cilat SPAK nuk i kishte hetuar.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar vendimin e SPAK për pushimin e hetimeve ndaj gjyqtares Irena Gjoka. GJKKO i ka kthyer dosjen Prokurorisë për të bërë hetimin e plotë të çështjes, duke i dhënë afat 6 muaj. Gjykata i ka vendosur SPAK-ut edhe 20 detyra që duhet të përmbushen brenda këtij afati, çka, sipas avokatit Genc Gjokutaj, është e paprecedentë në jurisprudencën e vendit.
Në prononcimin për gazetarët, Gjokutaj tha se këto detyra përfshijnë verifikime të korrespondencave me KLGJ dhe ILD, si dhe verifikime të të dhënave nga pikat kufitare. Ai e cilëson vendimin e GJKKO si një hap të rëndësishëm drejt zbulimit të së vërtetës për Irena Gjokën. Sipas tij, pyetja e gjyqtares Gjoka ishte bërë në shkelje të procedurës, pasi procesverbali nuk ishte firmosur nga hetuesi.
Jamarbër Malltezi e cilësoi çështjen e Irena Gjokës si një serial televiziv, duke kujtuar parregullsitë ligjore të gjyqtares, nga fshehja e dënimeve dhe dëbimeve në Greqi, deri tek falsifikimi i formularëve të dekriminalizimit dhe Vettingut. Malltezi u ndal gjithashtu tek identiteti i gjyqtares Gjoka dhe tentativat e saj për të ndryshuar mbiemrat.
Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, pas dy vitesh verifikime, konfirmoi se gjyqtarja Irena Gjoka, e cila gjykoi dhe burgosi liderët e opozitës shqiptare, ishte dënuar me burg në Greqi dhe ishte dëbuar për falsifikim të pasaportës dhe vizës. Jo vetëm kaq, por Gjoka i kishte fshehur këto vendime fillimisht në formularin e dekriminalizimit dhe më pas në procesin e Vettingut. SPAK-u u mjaftua vetëm me dëshminë e Irena Gjokës për këtë çështje dhe vendosi pushimin e saj, por me vendimin e GJKKO, dosja do të rihapet sërish për një hetim të plotë.