Pas Griezmann, edhe Jan Oblak drejt largimit nga Atletico Madrid
Atletico Madridi mund të përballet me një verë ndryshimesh të mëdha.
Pas largimit të Antoine Griezmann, edhe disa nga figurat më të rëndësishme të skuadrës po mendojnë seriozisht për të ardhmen e tyre.
Lamtumira emocionale e Griezmann në stadiumin “Metropolitano” konfirmoi fundin e një epoke për “Los Colchoneros”, por klubi spanjoll rrezikon të humbasë edhe emra të tjerë me peshë gjatë merkatos verore.
Një prej tyre është portieri Jan Oblak. Gardiani slloven ka lënë të hapur mundësinë e largimit, duke deklaruar për “DAZN” se e ardhmja e tij mbetet e paqartë.
“Gjithmonë them se kurrë nuk e di se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Kam kontratë, por vera është gjithmonë e gjatë”, u shpreh Oblak.
33-vjeçari ka edhe dy vite kontratë me Atletico Madridin, por sipas mediave spanjolle, ai po mendon seriozisht një ndryshim ambienti.
Për herë të parë që nga viti 2014, pozita e tij si titullar është vënë në diskutim nga Juan Musso.
Një tjetër faktor që mund të favorizojë largimin e tij është paga e lartë prej 10.4 milionë eurosh në sezon, më e larta në skuadër.
Në listën e lojtarëve që mund të largohen është edhe Jose Maria Gimenez.
Mbrojtësi uruguaian, një nga kapitenët e ekipit, ka kaluar një tjetër sezon të vështirë për shkak të dëmtimeve të shumta dhe ka luajtur më pak se gjysmën e minutave të mundshme.
Sipas “Marca”, Atletico është i gatshëm të dëgjojë oferta për të, pavarësisht kontratës që skadon në vitin 2028.
Ndërkohë, edhe Thomas Lemar duket larg planeve të klubit madrilen.
Francezi, aktualisht i huazuar te Girona, nuk pritet të qëndrojë në Katalonjë dhe rikthimi te Atletico nuk shihet si opsion afatgjatë.
Problemet fizike kanë ndikuar ndjeshëm në formën e tij, ndërsa këtë sezon ka regjistruar vetëm 1,291 minuta aktivizim në 27 ndeshje.