Jasir Asani pas largimit të Silvinjos: Momente që nuk do t’i harroj kurrë
Trajneri Silvinjo u largua sot nga drejtimi i Kombëtares shqiptare, ndërsa menjëherë u emërua Rolando Maran si pasues i tij.
Silvinjo mbylli kështu një eksperiencë që zgjati më shumë se 3 vite ku pati shumë risi.
Një prej tyre ishte ftesa për Jasir Asanin. Ky i fundit rezultoi zgjedhje e zgjuar nga trajneri brazilian, pasi ishte Asani që me golat e tij i shtroi rrugën kuqezinjve për në Europian.
Dhe pse kishte një krisje në marrëdhënien e tyre gjatë vitit 2025, Asani ka reaguar pas largimit të Silvinjos.
“Faleminderit mister për gjithçka. Kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur dhe të gjatë bashkë, me plot momente që nuk do t’i harroj kurrë. Jam shumë mirënjohës për besimin dhe mundësinë që më dhe për të përfaqësuar Kombëtaren. Do të të jem falenderues gjithë jetën. Suksese në vazhdim, mister”, shkruan Asani.
Kujtojmë se ndeshja e fundit zyrtare që Silvinjo i besoi Asanit ishte më 21 mars të vitit 2025, pikërisht ndaj Anglisë.
Këtë vit në sfidën historike ndaj Polonisë, Asani përfundoi në tribunë.