SYRI TV/ Agron Tare kërcënon gazetarin e Syri TV: Mos filmo se do e shohim më pas
Ish-drejtori i Belinda Ballukut, Agron Tare, njëherësh vëllai i ish-futbollistit Igli Tare, është paraqitur sot në SPAK. Pas 35 minutash në organin e akuzës, Tare ka refuzuar të sqarojë pozitat e tij, por ka kaluar në ofendime dhe kërcënime ndaj gazetarit të Syri TV, Fatjon Gjinaj. Tare kërcënoi gazetarin përse po e filmonte, në vend që të sqaronte dyshimet e ngritura së fundmi se ai dhe i vëllai rezultojnë të përfshirë në hetimet pasurore të ish-zv.kryeministres.
Agron Tare, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Belinda Ballukut dhe vëllai i futbollistit të njohur Igli Tare, është paraqitur sot në SPAK.
Tare ka qëndruar për rreth 35 minuta në institucionin e akuzës, nga ku më pas është larguar, teksa në dorë mbante një shkresë.
Përballja me gazetarët para Prokurorisë së Posaçme duket se nuk i ka pëlqyer ish-drejtorit të Portit të Durrësit, duke arritur deri në shantazh dhe kërcënim ndaj gazetarit të Syri TV, Fatjon Gjinaj. Teksa dilte nga dyert e SPAK-ut, Tare nuk ka kursyer ofendimet dhe as adresimet me tone kërcënuese ndaj gazetarit Gjinaj, i cili ishte duke kryer detyrën e tij për informimin e opinionit publik.
Një pjesë e intimidimit dhe kërcënimeve nga ish-zyrtari i Belinda Ballukut është filmuar nga vetë gazetari Fatjon Gjinaj, ndërsa momentet e ofendimeve kanë qenë edhe më të shumta, siç raporton vetë gazetari.
Në dyert e SPAK-ut, Agron Tare duket se ka mohuar edhe vetveten dhe pozitat e larta që ka mbajtur nën besimin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, pasi në vitet e fundit ai ka mbajtur postin e ambasadorit në Turqi, atë të zv.ministrit të Jashtëm dhe të drejtorit të Portit të Durrësit.
Tare, në vend që të sqaronte pozitat e tij dhe nëse ishte paraqitur në SPAK në kuadër të dosjes së Belinda Ballukut, zgjodhi të kërcënonte Fatjon Gjinajn, i cili ishte ndër të paktët gazetarë, në mos i vetmi, që kërkoi një prononcim në interes të opinionit publik.
Emri i Agron Tares ka dalë në dosjet e Belinda Ballukut, ku SPAK ka vënë në sitë edhe pasurinë e tij dhe të vëllezërve Tare, pasi për vilat në Tiranë dhe në bregdet ka dyshime se janë siguruar falë bashkëpunimit me Ballukun, e cila po hetohet për abuzime me tendera në vlera qindra milionë euro.
Edhe emisioni “Plug” në Syri TV, vetëm pak ditë më parë, investigoi një prej kanaleve të bashkëpunimit mes Igli Tares dhe vëllezërve Tare me ish-zv.kryeministren.