Paketa e Maleve, Thethi 'mollë sherri', debate të forta në Këshillin Bashkiak Shkodër
Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Shkodrës është shoqëruar me debate të ashpra dhe akuza të forta nga këshilltarët e opozitës lidhur me të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”, e cila sipas tyre po përdoret si një instrument për grabitjen dhe tjetërsimin e pronave në zonat më të lakmuara turistike të veriut, veçanërisht në Theth.
Syri Tv
Zona e Thethit, dikur simbol i trashëgimisë natyrore dhe krenarisë alpine shqiptare, prej kohësh ka nisur të trajtohet si një “tortë” politike dhe ekonomike ku secili kërkon të marrë pjesën e vet, në dëm të banorëve autoktonë dhe interesit publik.
Këshilltarët e djathtë nuk kursyen kritikat ndaj bashkisë dhe qeverisë, duke deklaruar se “Paketa e Maleve” prek pothuajse tërësisht zona të mbrojtura dhe hap rrugën për konflikte të reja juridike, abuzime me pronën dhe favore për klientelën politike.
Sipas tyre, ky ligj është haptazi antikushtetues dhe synon shtetëzimin e heshtur të tokave, për t’ua kaluar më pas individëve apo grupeve me lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin vendor dhe qendror.
Opozita ngriti shqetësimin se pas retorikës për zhvillim dhe turizëm, fshihet një skemë e rrezikshme për kontrollin e territorit dhe përjashtimin e banorëve vendas nga e drejta mbi pronën e tyre.
Kujtojmë se rreth 10 muaj më parë, qeveria ndërmori një aksion në Theth, në kulmin e sezonit turistik, duke shembur dhjetëra biznese dhe struktura, dhe duke lënë pas pasoja të rënda ekonomike për familjet që jetojnë nga turizmi.
Sipas opozitës, ajo ndërhyrje dëshmoi qartë standardin e dyfishtë të qeverisë: nga njëra anë goditen banorët e thjeshtë, ndërsa nga ana tjetër përgatitet terreni për interesa të mëdha ekonomike dhe klienteliste në një nga zonat më të bukura dhe më të lakmuara të Shqipërisë.