Trajneri i Portugalisë publikon listën për Botërorin 2026, ftohen 27 lojtarë, prin CR7

Kombëtarja e Portugalisë ka publikuar listën zyrtare të lojtarëve të grumbulluar për Kupën e Botës, që do të nisë më 11 qershor në Meksikë, Kanada dhe SHBA.

Përzgjedhësi Roberto Martínez bëri publike këtë të martë listën me 27 futbollistët që do të përfaqësojnë Portugalinë në turneun më të madh të futbollit botëror.

Në repartin e portës janë ftuar Diogo Costa, Rui Silva, José Sá dhe Ricardo Velho.

Në mbrojtje spikasin emra të rëndësishëm si João Cancelo, Diogo Dalot, Rúben Dias, Gonçalo Inácio, Nuno Mendes dhe Nélson Semedo. Në listë janë përfshirë gjithashtu edhe Renato Veiga, Tomás Araújo dhe Matheus Nunes.

Mesfusha udhëhiqet nga ‘yje’ si Bruno Fernandes, Bernardo Silva, Vitinha dhe João Neves, ndërsa në listë janë edhe Rúben Neves dhe Samu Costa.

Në sulm nuk mungon legjenda Cristiano Ronaldo, i cili do të udhëheqë repartin ofensiv bashkë me: Rafael Leão, João Félix, Pedro Neto, Gonçalo Ramos, Francisco Conceição, Francisco Trincão dhe Gonçalo Guedes.

Portugalia konsiderohet një prej skuadrave favorite për të shkuar larg në këtë Botëror, falë përzierjes së eksperiencës me talentin e ri që ka në dispozicion Roberto Martínez.