SYRI TV/ Shqipëria me fuqi punëtore të pakualifikuar, më shumë se gjysma me vetëm arsim bazë

SYRI TV

Mbi gjysma e shqiptarëve mbi 25 vjeç kanë vetëm arsim fillor ose 9-vjeçar, duke krijuar probleme serioze për tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik. Bizneset po hasin vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar, ndërsa investimet me vlerë të lartë mbeten të kufizuara. Ekspertët e lidhin këtë situatë me emigracionin, braktisjen e shkollës dhe mungesën e politikave efektive për arsim profesional dhe trajnim.

Më shumë se gjysma e shqiptarëve në moshë pune kanë vetëm arsim fillor ose 9-vjeçar. Të dhënat e fundit të INSTAT nxjerrin në pah një nga plagët më të mëdha të ekonomisë shqiptare: mungesën e arsimit dhe kualifikimit profesional të forcës punëtore.

Sipas statistikave, 52 për qind e grave dhe 44 për qind e burrave mbi 25 vjeç kanë vetëm arsim bazë. Një realitet që kufizon mundësitë për punësim cilësor, ul pagat dhe e mban ekonominë shqiptare të mbështetur kryesisht tek puna me kosto të lirë dhe sektorët me vlerë të ulët të shtuar.

Bizneset po përballen gjithnjë e më shumë me mungesë të stafit të kualifikuar, ndërsa kompanitë teknologjike dhe investitorët seriozë hezitojnë të investojnë në një treg ku forca punëtore ka nivel të ulët arsimor. Edhe Banka Botërore e ka renditur mungesën e aftësive si një nga shqetësimet kryesore të sipërmarrjeve në Shqipëri.

Problemi bëhet edhe më i rëndë nga mungesa e trajnimeve profesionale dhe pjesëmarrja shumë e ulët në arsimin gjatë gjithë jetës. Ndërkohë, vendet e rajonit si Serbia apo Maqedonia e Veriut kanë nivele dukshëm më të ulëta të popullsisë me vetëm arsim fillor.

Ekspertët e lidhin këtë situatë me tranzicionin e gjatë, emigracionin masiv dhe braktisjen e shkollës nga shumë të rinj, që u futën herët në tregun informal të punës ose emigruan. Pasojat sot janë të dukshme: paga të ulëta, mungesë produktiviteti dhe rrezik më i lartë varfërie për mijëra qytetarë që mbeten jashtë tregut modern të punës.