Rritja e tarifave nga Posta Shqiptare/ Himçi: Kjo është pasojë direkt e korrupsionit
Pas publikimit të lajmit për rritjen e tarifave nga Posta Shqiptare ka reaguar deputeti demokrat Bledi Himçi.
Sipas tij, kjo është pasojë direkt e korrupsionit. “Kjo barrë bie mbi shtresat më vulnerabël të shoqërisë”, u shpreh ai gjatë një deklarate.
Deklarata e plotë:
Shqipëria po përballet çdo ditë me një realitet të hidhur, kostoja e jetesës rritet pa pushim, ndërsa të ardhurat e qytetarëve mbeten ndër më të ulëtat në rajon dhe në Europë. Kjo nuk është pasojë e krizave globale apo e zhvillimeve ndërkombëtare. Kjo është pasojë direkte e korrupsionit, keqmenaxhimit dhe kapjes së institucioneve publike nga interesa klienteliste.
Rritja e fundit e tarifave nga Posta Shqiptare është një tjetër provë e qartë e kësaj qasjeje të gabuar dhe të padrejtë ndaj qytetarëve.
Në vend që të investojë në infrastrukturë digjitale, Posta zgjedh të rrisë tarifat e shërbimeve qytetarëve.
U kërkohet të paguajnë më shumë për një shërbim që prej vitesh ka dështuar të garantojë standarde minimale sigurie, eficience dhe transparence. Nuk mund të kërkosh më shumë para nga qytetarët për të mbuluar dështimet që vetë institucioni ka prodhuar me papërgjegjshmëri.
Më shqetësuese është fakti se kjo barrë bie mbi shtresat më vulnerabël të shoqërisë, veçanërisht mbi pensionistët, të cilët janë përdoruesit më të shpeshtë të shërbimeve postare dhe që sot po penalizohen padrejtësisht.
Realiteti i Postës Shqiptare flet vetë:
-Një institucion që del çdo vit me humbje financiare;
-Një administratë e fryrë me punësime klienteliste dhe patronazhiste;
-Një strukturë pa analizë të qartë kostoje dhe pa eficiencë operacionale;
-Një menaxhim pa vizion, pa përgjegjësi dhe pa transparencë.
Ky nuk është model shërbimi publik. Ky është modeli i korrupsionit dhe dështimit institucional
Qytetarët shqiptarë nuk mund dhe nuk duhet të paguajnë faturën e paaftësisë, korrupsionit dhe abuzimit me institucionet publike.
Partia Demokratike do ta ndjekë me vëmendje gjithçka ndodh në Postën Shqiptare, ndërsa i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë këtë institucion dhe të bëhet një transparencë e plotë financiare.
Shqipëria nuk mund të ndërtohet mbi tarifat që rëndojnë qytetarët dhe mbi institucionet që janë kthyer ne banke pasurimi për pushtetarët.
Shqipëria duhet të ndërtohet mbi drejtësinë, eficiencën dhe respektin për qytetarin.