Berisha: Salianji u vetëpërjashtua, letrat e shkruara nga zyra e Edi Ramës nuk kanë asnjë vlerë për mua

Berisha, komentoi deklaratat dhe letrën e dërguar nga Ervin Salianji drejt Partive Popullore Evropiane, ku ky i fundit ngrinte pretendime për standardet demokratike brenda PD-së.

Berisha u shpreh se Salianji është “i vetëpërjashtuar” nga partia dhe se ka të drejtë të shprehë qëndrimet e tij apo të ndjekë rrugët institucionale për ankesat.

Ai minimizoi ndikimin e letrës, duke deklaruar se dokumente të tilla “nuk kanë asnjë vlerë” për të, ndërsa tha se qëndrime të tilla frymëzohen nga kundërshtarët politikë.

Berisha theksoi se PD mbetet pjesë e familjes së partive të qendrës së djathtë europiane dhe vijon marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare ku aderon.

Deklarata e plotë:

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Kandidati apo aspiranti për kandidat, që më pas u përjashtua nga KOKOE, Ervin Salianji, i ka dërguar një letër Partive Popullore Evropiane dhe drejtuesve të partive evropiane të qendrës së djathtë ku thotë se në PD po asgjësohen standardet demokratike dhe pluralizmi i brendshëm. A i druheni ju një krisje të marrëdhënieve me PPE pas kësaj letre ku pretendohen fakte rreth garës së PD?

Sali Berisha: PD është anëtare e të gjitha këtyre institucioneve dhe ai që shkruan letër është një i vetëpërjashtuar nga kjo parti.
Por ai natyrisht ka të drejtat e tij, mund të shkruajë letra ku të dojë, është i lirë.
Sikundër është i lirë t’i drejtohet organeve të partisë, gjykatës së partisë, ku të shprehë ankesën, megjithëse ai u vetëpërjashtua, zgjodhi vetë vetëpërjashtimin.
Ndaj dhe letrat e shkruara nga zyra e Edi Ramës apo ndonjë tjetri, nuk kanë asnjë vlerë për Sali Berishën.
Secili mund të shkruajë letra.