Tension në Madrid, Mbappé dhe Vinícius Júnior thuhet se nuk flasin më mes tyre

Në kampin e Real Madridit po raportohet për një situatë të tensionuar mes dy prej ‘yjeve’ kryesorë të skuadrës, Kylian Mbappé dhe Vinícius Júnior.

Sipas raportimeve të “El Chiringuito TV”, marrëdhënia mes dy sulmuesve është përkeqësuar ndjeshëm deri në pikën ku komunikimi mes tyre thuhet se pothuajse nuk ekziston më, duke shtuar edhe më shumë tensionin brenda një dhome zhveshjeje që konsiderohet e trazuar.

Në të njëjtat burime pretendohet se Mbappé beson se Vinícius ka pasur rol të rëndësishëm në largimin e ish-trajnerit Xabi Alonso, ndërsa situata në skuadër është përkeqësuar pas ndryshimeve në stafin teknik.

Gjithashtu raportohet se francezi nuk ka marrëdhënie të mira as me trajnerin aktual Álvaro Arbeloa, duke menduar se nuk trajtohet si një figurë kyçe brenda ekipit.

Sipas raportimeve, Mbappé ndihet i izoluar në dhomën e zhveshjes dhe beson se nuk ka mbështetjen e plotë të strukturës sportive të klubit. Nga ana tjetër, rrethi i tij mbron idenë se Vinícius po përpiqet ta paraqesë atë si “fajtorin” e situatës së fundit të skuadrës.

Megjithëse në fushë Real Madridi vazhdon të mbetet një nga ekipet më të forta në Europë, këto raportime sugjerojnë një klimë të brendshme jo të qetë, e cila mund të ndikojë në objektivat e sezonit nëse tensionet vazhdojnë të rriten.