Fundi i epokës së Guardiolës, Manchester City ka marrëveshje totale me trajnerin italian

Është arritur marrëveshja e plotë mes Enzo Maresca-s dhe Manchester City-t, me trajnerin italian që pritet të marrë drejtimin e klubit anglez pas largimit të Pep Guardiolës.

Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, Maresca do të jetë zëvendësuesi i Guardiolës dhe do të firmosë një kontratë fillestare trevjeçare me kampionët e Anglisë.

Lajmi vjen në një moment kur mediat angleze raportojnë gjithnjë e më me siguri se Guardiola do të mbyllë aventurën e tij dhjetëvjeçare në krye të “citizens”, një epokë e mbushur me trofe dhe dominim në Premier League.

Maresca, i cili ka qenë më herët pjesë e strukturave të Manchester City-t si trajner në ekipet e të rinjve dhe si ndihmës i Guardiolës, shihet prej kohësh si kandidati kryesor për ta pasuar teknikun katalanas.

“Enzo Maresca ka një marrëveshje verbale totale me Manchester City-n. Ai është konsideruar gjithmonë kandidati ideal për të zëvendësuar Pep Guardiolën”, raporton Romano.

Sipas të njëjtave burime, marrëveshja është mbyllur dhe italiani do të nënshkruajë kontratë trevjeçare, duke nisur kështu një epokë të re në “Etihad Stadium”.