Mungesa e segmentit lidhës në bypass-in Mbrostar–Levan krijon vështirësi për banorët

Banorët e pesë fshatrave të zonës Ndërmënasit, pranë bypass-it të autostradës Mbrostar–Levan, po përballen me vështirësi të shumta për shkak të mungesës së një lidhjeje rrugore në një segment prej rreth 1.2 kilometrash në të dy anët e aksit.

Sipas tyre, ndërtimi i këtij segmenti pa akses lidhës ka penalizuar rëndë fermerët e zonës, të cilët detyrohen të përshkojnë deri në 4–5 kilometra rrugë shtesë për të hyrë dhe dalë nga tokat e tyre bujqësore, ku kryejnë punimet e përditshme në fusha.

Banorët shprehen se gjatë fazës së projektimit dhe nisjes së punimeve u ishte premtuar se ky problem do të zgjidhej pas përfundimit të procedurave të shpronësimit. Ata thonë se kanë zhvilluar takime dhe diskutime me përfaqësues të institucioneve, por deri tani situata mbetet e pazgjidhur.

Fermerët e zonës theksojnë se mosmarrëveshjet për çmimet e shpronësimit dhe vonesat në pagesa kanë sjellë pezullimin e zgjidhjes për ndërtimin e akseve lidhëse që do t’u shërbenin banorëve të fshatrave Fermë Çlirim, Radostinë, Hamil, Ndërmënas dhe Sulaj.

Sipas tyre, ata vijojnë të përballen me kosto shtesë, humbje kohe dhe vështirësi të mëdha në aktivitetin e përditshëm bujqësor.

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për përfundimin e procesit të shpronësimit dhe ndërtimin e lidhjeve rrugore, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi dhe të shmanget izolimi i tyre nga tokat bujqësore.

Ata theksojnë se zgjidhja e kësaj problematike është e domosdoshme për të garantuar vijimësinë e punës në bujqësi dhe zhvillimin e zonës.