Procesi ndaj Metës më i zi se Neni 55: Kjo dosje është një nga faqet më të zeza të shtetit shqiptar

Nga Petrit Vasili/

E gjithë kjo dosje e urdhëruar nga interesat më mafioze rilindase është sot e diskredituar totalisht dhe nuk as lidhjen me të vogël me zbatimin e ligjit.

Kjo dosje është një nga faqet më të zeza të shtetit shqiptar.

Procesi ndaj Metës është realisht akuza më e rëndë kundër drejtësisë së shitur tek Rama!

Çdo hap, çdo veprim dhe çdo procedurë e ndjekur ndaj Metës është provë e një drejtësie të shitur kokë e këmbë, që shkel çdo ligj e standard ligjor në funksion të hakmarrjes politike.

Rrëmbimi kriminal i pa ndodhur kurrë më parë, dhunimi i procedurave dhe shkeljet e panumërta njëra më e turpshme se tjetra janë kjo e gjithë ngrehina e kalbur e një procesi, i cili është akuza më e rëndë për vetë drejtësinë.

Sikur vetëm një minutë të vetme institucionet e drejtësisë të merrnin nën hetim shkeljet e panumërta procedurale dhe ligjore menjëherë rolet do të ndryshoheshin dhe në bankën e të akuzuarit ndodheshin vetë prokurorët dhe gjyqtarët e drejtësisë "speciale".

Do të ishin në bangën e të akuzuarit vetë prokurorët sepse:

Nuk hetuan për urdhëruesit dhe ekzekutuesit e rrëmbimit kriminal dhe të paligjshëm të Metës.
Fshehën dokumente shumë të rëndësishme që rrëzonin akuzën e tyre siç ishte dokumenti i nëntorit të vitit 2024 për lobimin që erdhi nga SHBA.

Vendosja e masës së arrestit me burg pa asnjë shkak të përligjur dhe pa asnjë faj që motivonte këtë masë shpërporcionale që ishte vetëm demonstrim i urdhrit politik të Ramës për të izoluar Metën si një nga liderat politikë më të rëndësishëm në vend.

Vazhduan arrestimin dhe mbajtjen në burg pa asnjë arsye dhe justifikim ligjor, bile duke fshehur zhvillime shumë të rëndësishme siç ishte rënia e akuzës kryesore asaj të lobimit, që për pasojë nuk motivonte aspak izolimin në burg.

I gjithë procesi zhvillohet fare qartë si hakmarrje e verbër politike sepse asnjë provë, dokument apo fakt nuk kanë qenë në gjendje të paraqesin përveç thashethemeve të denja për një pijetore ordinere lagjeje.

Edhe procesi i bunkerizuar që nga përdorimi idiotesk i kafazit të qelqtë dhe pengimi i transmetimit live për mediat janë zgjatimi i hakmarrjes politike në gjykatë.

Asgjësimi publik me argumente të pakundërshtueshme i procesit nga ana e mbrojtjes ligjore të Metës është tashmë një realitet absolut.

Ndaj edhe pengohet në mënyrë të dhunshme dhe mjerane transparenca e këtij procesi.

Në fund të fundit të gjithë e kanë të qartë se i gjithë ky proces ndaj Metës ishte dhe mbetet një farsë mashtruese mjerane e shërbëtorëve të Ramës në drejtësi.

Pa as më të voglin dyshim ata që kanë marrë guximin të ndërmarrin këtë krim politik me duart e drejtësisë do të përgjigjen për shpërdorimin e ligjit si sopatë për të prerë kokat e opozitarëve për llogari të Ramës.

Por duhet ta kenë të qartë se Rama pasi i përdori do t’i hedhë në plehra siç ka bërë me të gjithë dhe atëherë do ta kuptojnë se kur shitesh fundin e ke të paracaktuar.

Dosja e Metës është akuza më e rëndë, që rëndon mbi drejtësinë me regji si provë e talebanizmit më të egër antiligjor dhe politik.