Sylvinho i jep lamtumirën Shqipërisë: E mbyll këtë cikël pas një pune shumë të mirë, urime trajnerit të ri!
Ka përfunduar zyrtarisht epoka e Sylvinho në krye të Shqipërisë. Në një deklaratë emocionale për mediet, trajneri brazilian i ka dhënë lamtumirën Kombëtares Kuqezi, duke falënderuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi trevjeçar e gjysmë.
“Mirëmëngjesi çuna dhe goca! Faleminderit zotit president. Edhe për mua janë dy minuta me emocione. Nga pjesa jonë do të falënderojmë, por kemi vendosur që së bashku të mbyllet ky cikël, një cikël prej 3 vitesh e gjysmë në të cilin kemi punuar shumë mirë për të përfaqësuar këtë kombëtare, një komb.
Një komb që më ka mirëpritur shumë mirë dhe e falënderoj shumë. Tani e njoh shumë mirë Shqipërinë, Tiranën dhe dua t’ju falënderoj shumë. Falënderoj dhe presidentin për besimin, për punën, sigurisht mbi 100 njerëz që punojnë në këtë federatë.
Shumë e dinë mirë se çfarë kemi bërë. Me disa kemi pasur mundësi të hamë drekë, darkë. Dua të falënderoj stafin teknik. Të gjithë futbollistët të cilët kanë bërë një rrugëtim prej 3 vitesh e gjysmë me ne dhe jemi rritur të gjithë bashkë, sigurisht falënderoj dhe tifozët shumë dashamirës ndaj kombëtares, për ne ka qenë gjithnjë një shenjë shumë pozitive.
Sot s’kam shumë për të thënë. Më kujtohet që nga dita e parë që kam qenë këtu, ka qenë 9 janari i 2023, kam thënë diçka: “Shpirti, zemra dhe djersa nuk duhet të mungojnë kurrë”. Këtë kam thënë në ditën e parë dhe ia kemi dalë të gjithë së bashku. Dua t’ju falënderoj të gjithëve ju që po më dëgjoni edhe sot pas 3 vitesh e gjysmë dhe shumë suksese trajnerit të ri, urime”, tha ai.