Lautaro: E ardhmja ime është tek Interi, ‘dopieta’ i dedikohet gjyshes sime
Sulmuesi i Interit, Lautaro Martínez, ka folur për të ardhmen e tij, rekordet personale dhe emocionet familjare në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, pas fitimit të titullit kampion dhe Kupës së Italisë me zikaltrit.
“Ta mbyll karrierën tek Interi? Sigurisht që do të doja”, deklaroi argjentinasi. “Ende nuk i kam çelësat e Appianos, por pothuajse… Familja ime është e lumtur këtu, kemi edhe një restorant, fëmijët shkojnë në shkollë dhe kanë miqtë e tyre. Sot e kam të vështirë ta imagjinoj veten diku tjetër. Në futboll nuk i dihet kurrë, por nëse nuk më largojnë, do të qëndroj këtu”.
Lautaro foli edhe për rekordet me fanellën zikaltër, por pranoi se nuk u kushton shumë rëndësi statistikave personale.
“Të them të vërtetën, as nuk e di sa gola kam shënuar. E di vetëm që jam i treti në listën historike të golashënuesve të Interit dhe kaq. Një ditë mund të kaloj Meazza-n? Do të ishte diçka e bukur, sepse ai është historia e Interit dhe e Milanos. Mund ta arrij, por duhet të filloj të godas penalltitë”, tha ai me humor.
Kapiteni zikaltër tregoi edhe mesazhin më emocionues që ka marrë pas triumfeve të këtij sezoni.
“Ishte mesazhi i gjyshes sime, e cila nuk është mirë me shëndet. Kur isha i vogël, ajo pastronte shkollën ku studioja dhe unë e ndihmoja që ta mbaronte më shpejt punën. Quhet Olga dhe e kam tatuazh në krah. Më vjen keq që tani jemi larg, por ‘dopietën’ ia dedikoj asaj”.
Në fund, Lautaro foli shkurt edhe për Botërorin 2026, që mbetet objektivi i tij i ardhshëm.
“Jam përgatitur për të arritur atje në formën time më të mirë”, përfundoi sulmuesi argjentinas.