Belgu Kjell Cooman fiton etapën hapëse të Turit të 83-të Çiklistik

Edicioni i 83-të i Turi Çiklistik i Shqipërisë ka nisur zyrtarisht këtë të martë me etapën inauguruese Tiranë-Lezhë, një itinerar prej 177 kilometrash, ku triumfues doli çiklisti belg Kjell Cooman.

23-vjeçari, që përfaqëson skuadrën Bal-Enzo Cycling, arriti të fitonte pas një sprinti të fortë në metrat e fundit, duke lënë pas sllovenin Timotej Bavec të ekipit Ribno Alpine dhe rumunin Alin Toader, i cili garon për kombëtaren e Rumanisë.

Etapa e parë ishte kryesisht fushore dhe ritmi i garës bëri që pjesa më e madhe e çiklistëve të mbërrinin së bashku në grupin kryesor. Në këtë edicion marrin pjesë 20 skuadra nga vende të ndryshme të Europës dhe rajonit, duke i dhënë garës një nivel të lartë konkurrence.

Turi i këtij viti do të zhvillohet në pesë etapa dhe do të përfundojë më 22 maj në Fier. Ndalesa e radhës do të jetë etapa Lezhë-Elbasan, me një gjatësi prej 150 kilometrash.

Kalendari i etapave:

Tiranë – Lezhë (177 km)

Lezhë – Elbasan (150 km)

Elbasan – Vlorë (172 km)

Vlorë – Vlorë (149 km)

Vlorë – Fier (123 km)