Guardiola drejt largimit nga Manchester City pas një dekade historike

Pep Guardiola pritet t’i japë fund aventurës së tij të jashtëzakonshme me Manchester Cityn pas dhjetë vitesh në krye të klubit anglez.

Sipas raportimeve nga mediat britanike, tekniku spanjoll do të njoftojë largimin e tij pas ndeshjes së fundit të sezonit në Premier League ndaj Aston Villës.

Guardiola kishte rinovuar kontratën në vitin 2024, por me vetëm një sezon të mbetur në marrëveshjen aktuale, largimi i tij gjatë kësaj vere duket gjithnjë e më i mundshëm.

55-vjeçari do të lërë pas një trashëgimi historike në “Etihad Stadium”, pasi gjatë dekadës së tij me Manchester Cityn ka fituar plot 20 trofe.

Mes tyre spikasin gjashtë tituj të Premier League, tre FA Cup, një Champions League dhe një Botëror Klubesh.

City mund ta mbyllë sezonin edhe me një tjetër titull kampion, por gjithçka varet nga rezultatet e Arsenalit të drejtuar nga Mikel Arteta në javën finale të kampionatit.

Raportet bëjnë të ditur se drejtuesit e klubit dhe sponsorët janë informuar tashmë për vendimin e Guardiolës, ndërsa edhe njerëzit më të afërt të trajnerit janë në dijeni të largimit të tij.

Manchester City pritet ta mbyllë sezonin me një paradë festive në qytet, pas triumfit në FA Cup ndaj Chelseat në “Wembley”, ku skuadra e Guardiolës fitoi minimalisht 1-0.

Nëse largimi konfirmohet, fundi i “epokës Guardiola” do të shënojë një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Manchester Cityt dhe futbollit anglez.