Ndalimi i aktivistit shqiptar nga autoritetet izraelite, reagon Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar zyrtarisht lidhur me rastin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj, i cili ndodhet në bordin e flotiljes humanitare “Sumud”.

Sipas deklaratës zyrtare, Ministria është vënë në dijeni për situatën dhe, përmes kanaleve diplomatike, ka qenë në komunikim me autoritetet izraelite kompetente që nga momenti i parë, me qëllim sigurimin e informacionit të plotë mbi rrethanat e ngjarjes.

Në fokus të angazhimit institucional mbetet garantimi i respektimit të plotë të të drejtave të shtetasit shqiptar, përfshirë aksesin konsullor, në përputhje me praktikat dhe konventat ndërkombëtare.

Ministria bën të ditur se po e trajton çështjen me prioritet të plotë, ndërsa është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e Goxhajt dhe pritet të informojë publikun edhe mbi hapat e mëtejshëm proceduralë.

Në reagimin e saj, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rithekson angazhimin për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, duke theksuar se do ta ndjekë nga afër këtë rast në koordinim të ngushtë me autoritetet dhe partnerët përkatës.