Tragjedi në Greqi/ Punëtori shqiptar humb jetën në kantier, e zë poshtë dheu gjatë gërmimeve

Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të hënë (18 maj) në Greqi, ku një 46-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në një kantier ndërtimi në zonën e Janinës.

Babai i dy fëmijëve ishte duke punuar në një projekt për ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza, kur gjatë gërmimeve dheu është shembur papritur, duke e zënë poshtë dhe duke i shkaktuar vdekjen.

Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e shpëtimit dhe ambulanca e EKAB-it, ndërsa ekipet mjekësore bënë përpjekje intensive për ta rikthyer në jetë me CPR, por pa rezultat.

Pas aksidentit fatal, autoritetet greke kanë arrestuar përgjegjësin e kantierit, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.

Në terren shkoi edhe një ekip i Qendrës së Punës në Janinë, i cili po heton kushtet e sigurisë në punë dhe shkaqet që çuan në këtë humbje tragjike.