Zgjedhjet e treta në Kosovë, Spahiu: Koprracia e Kurtit dhe qyqarllëku i opozitës e çuan vendin në krizë
Kosova po shkon sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme, të tretat brenda një periudhe të shkurtër, duke dëshmuar një bllokim të thellë politik. Sipas analistit dhe profesorit të shkencave politike, Nexhmedin Spahiu që ishte i ftuar në një intervistë në edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, kjo situatë mund të ishte shmangur lehtësisht nëse do të ekzistonte më shumë patriotizëm në klasën politike.
Sipas Spahiut dy janë shkaktarët kryesorë të krizës: "koprracinë" e kryeministrit Albin Kurti dhe "qyqarllëkut" e opozitës. Sipas tij, Kurti tentoi me çdo kusht të siguronte postin e presidentit për një njeri të tijin, duke përdorur kërcënimin e zgjedhjeve të parakohshme si një blof për të frikësuar opozitën. Megjithatë, kjo strategji dështoi. Nga ana tjetër, opozita, edhe pse nuk ra në grackën e blofit, tregoi mungesë serioziteti duke mos qenë në gjendje të propozonte asnjë kandidat të vetin për president, duke e lënë fushën e lojës politike pa alternativa reale.
Për analistin, problemi thelbësor që do të mbetet edhe pas këtyre zgjedhjeve, pavarësisht nëse Kurti fiton apo humbet 10 deputetë, është mënyra e zgjedhjes së presidentit. Ai argumenton se ky bllokim është sistemik dhe buron nga Kushtetuta e Kosovës, të cilën e cilëson si "tepër moderne" dhe jo në përputhje me konstruktin mendor dhe realitetin politik të vendit.
Zgjidhja, sipas Spahiut, është ndryshimi i sistemit për zgjedhjen e kreut të shtetit. Ai propozon që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, siç ndodh në shumicën e vendeve të Ballkanit.
Arnold Kariqi: Do të fokusohemi në zhvillimet që vijnë nga Kosova. Do të flasim se si është situata atje, çfarë po ndodh, kalkulimet politike dhe rezultati i pritshëm. Kam të ftuar në studio profesorin e shkencave politike Nexhmedin Spahiu. Janë zgjedhjet e treta, sigurisht, e kanë lodhur Kosovën, qoftë qytetarët, po ashtu dhe politikën. Mund të ishte shmangur?
Nexhmedin Spahiu: Po, mund të ishte shmangur fare lehtë sikur të kishte më tepër patriotizëm në Kosovë, i cili mungon, fatkeqësisht. Nëse këtë mungesën e patriotizmit ne e adresojmë më konkretisht tek klasa politike, atëherë zgjedhjet janë për shkak të koprracisë së Albin Kurtit dhe qyqarllëkut të opozitës. Domethënë, Albin Kurti tentonte që me çdo kusht t'i mbante, ta mbante edhe pozitën e presidentit për vete, domethënë për njeriun e vet. Por njëherë tentoi që ta merrte duke i frikësuar opozitën me zgjedhje. Kur e pa që opozita nuk po frikësohet, tentoi t'i japte kryetarin e parlamentit, pastaj në fund ishte i gatshëm ta jepte edhe presidentin, por kur kjo u bë vonë dhe kur opozita pa një shpresë se armiqësimi i Albin Kurtit me Vjosa Osmanin do të sillte një avantazh opozitës, atëherë këta nuk pranuan as këtë. Sepse të dy partitë opozitare që kishin mundësi ta formonin me numra në parlament zgjedhjen e presidentit, nuk ishin në gjendje të jepnin qoftë edhe një kandidat për president. Nuk ishin në gjendje ta propozonin veten e tyre, të paktën, domethënë, qoftë lideri i LDK-së, qoftë i PDK-së, as veten e tyre s'ishin në gjendje ta propozojnë për president.
Arnold Kariqi: Luajti blofin zoti Kurti deri në fund dhe më pas...
Nexhmedin Spahiu: Më pas u dogj vetë. Ndonjëherë, kur e tërhoq litarin, nga vetja tepër, ndonjëherë ai këputet. Dhe kur këputet litari të del keq. Natyrisht, është mirë që ta tërheqësh sa më shumë nga vetja, por jo edhe aq shumë sa të këputet litari.
Arnold Kariqi: Profesor, kush përfiton nga këto zgjedhje të treta? Kurti pretendon 60%-shin, opozita e sheh si një mundësi për ta zvogëluar më tepër Kurtin?
Nexhmedin Spahiu: Është akoma herët të jap një prognozë, se varet se si do të zhvillohet loja deri në ditën e fundit. Fushata. Nga ky moment, nuk e kam akoma të qartë për veten time se kush do të lëvizë para ose mbrapa. Por sidoqoftë besoj që sido që të jetë rezultati zgjedhor, nëse Albin Kurti fiton 10 deputetë më shumë, ose 10 deputetë më pak, nuk e ndryshon situatën.
Prapë do ngelet te zgjedhja e presidentit, e cila është një problem, për shkak të kushtetutës së Kosovës, e cila nuk i bie tamam konstruktit mendor të Kosovës, të popullit të Kosovës. Shikoni, kushtetuta e Kosovës është një kushtetutë tepër moderne. E mirë për Finlandën, e mirë për Poloninë ose për Çekinë.
Shikoni, vetëm mënyrën se si zgjidhet presidenti në vendet ballkanike. Vetëm Kosova dhe Shqipëria zgjidhen përmes parlamentit.
Arnold Kariqi: Pra, ta zgjedhë më mirë populli?
Nexhmedin Spahiu: Po ta zgjedhë populli. Sepse me zgjedhjen nga populli, vazhdimisht prodhohet një president. Me një palë zgjedhje me balotazh, prodhohet presidenti dhe hiqet qafe ky problem. Ndërkohë që Kosova sa herë që do të vijë zgjedhja e presidentit, edhe nëse e tejkalojmë kësaj radhe, prapë do ngecemi në herën tjetër. Domethënë kështu që kjo është një arsye pse ngec zgjedhja e presidentit dhe do të duhet të ketë një bashkëpunim mes forcave politike për ta përfunduar këtë punë, por ja që situata është jashtëzakonisht e tendosur, sepse politika të cilën e ndjek Albin Kurti është goxha konfliktuale. Është prodhuar, është tensionuar një situatë e cila domethënë, u manifestua tani edhe me rrahjen që ndodhi në Skenderaj. Kjo gjë që mund të të shpinte buzë luftës civile.
Arnold Kariqi: Si ka mundësi profesor që nuk pati asnjë, as shoqërime të paktën policie për atë që ndodhi atje?
Nexhmedin Spahiu: Këtu në fakt dështoi shteti. E para, domethënë, asnjë polic nuk mori guximin që të shkonte ta arrestojë. Pastaj me gjasë, janë pushuar disa policë. U dërguan njësia speciale për ta arrestuar dhe ajo nuk pati guximin ta bëjë atë, sepse pati protesta edhe si duket, Albin Kurti u frikësua që të shkojë më tej. Të ketë një tension të brendshëm. Edhe u tërhoq madje duke mohuar se kanë shkuar për ta arrestuar Sami Lushtakun, por në fakt ata për atë punë ishin nisur. Por edhe në fund si duket ka ardhur deri te një kompromis që ai të paraqitet në polici por të mos arrestohet…