Duartrokitje dhe ovacione, si u kthye Isabel Eve në surprizën më të bukur të Arena di Verona

Isabel Eve po ngjitet në skenat më prestigjioze të muzikës klasike europiane, duke ndërtuar një rrugëtim që tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e publikut dhe medias ndërkombëtare. Vetëm 13 vjeç, sopranoja shqiptaro-kanadeze u bë një nga emrat më të komentuar të edicionit të dytë të ‘La Grande Sfida – InConTrArti 2026’, eventit madhështor të zhvilluar në Arena di Verona, ku ndau skenën me disa prej figurave më të njohura të muzikës dhe spektaklit italian.

Në një mbrëmje të prezantuar nga Amadeus dhe Federico Parlanti, mes emrave si Francesco Renga, Paolo Ruffini, Lina Sastri dhe kastit të Notre Dame de Paris, Isabel Eve u ngjit solo në një prej arenave më ikonike në botë, duke emocionuar publikun me interpretimin e saj dhe duke u kthyer menjëherë në një nga surprizat më të bukura të natës.

LEXO EDHE: Shkëlqen në Itali 9-vjeçarja Isabel Poro, vogëlushja e talentuar fiton çmimin e parë me arien e Giaccomo Puccinit

Performanca e saj, e shoqëruar nga Orchestra Ritmico Sinfonica Italiana nën drejtimin e maestros Diego Basso, solli në skenë muzikën e Ennio Morricone dhe u prit me duartrokitje të gjata nga publiku i Arena di Verona. Vetëm pak ditë pas eventit, emri i saj nisi të qarkullonte në mediat italiane, të cilat e përshkruajnë si një nga talentet më premtuese të brezit të ri në muzikën lirike dhe klasike.

Por, rrugëtimi i Isabel Eve nuk nisi në Arena di Verona. Historia e saj me muzikën fillon shumë më herët dhe pothuajse rastësisht. E lindur më 24 dhjetor 2012 në Kanada, ajo u rrit mes muzikës klasike dhe admirimit për Andrea Bocelli. Familjarët tregojnë se Isabel e dëgjonte çdo ditë Bocellin dhe përpiqej të imitonte mënyrën e tij të interpretimit, deri në momentin kur talenti i saj tërhoqi vëmendjen e mësueses së muzikës, e cila vendosi ta testonte profesionalisht.

Që në moshë shumë të vogël, Isabel tregoi një ndjeshmëri të pazakontë artistike dhe një timbër vokal që u vlerësua menjëherë nga profesionistët e muzikës klasike. Krahas vokalit, ajo nisi edhe studimet për piano, ndërsa formimi i saj artistik mori një dimension më serioz nën kujdesin e Fio Zanotti, një nga kompozitorët dhe dirigjentët më të njohur italianë, si edhe të sopranos Ulpjana Aliaj.

Në vitin 2022, vetëm 9 vjeç, Isabel Eve fitoi çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar ‘Hybla Music Contest’ në Raguzë të Siçilisë, duke konkurruar m’z arien e famshme ‘O mio babbino caro’ të Giacomo Puccini dhe këngën klasike italiane ‘Parlami d’amore Mariù’. Ishte një moment që konfirmoi publikisht potencialin e saj artistik dhe e vendosi emrin e Isabel në mesin e talenteve të reja që po ndiqeshin me interes në Itali.

Gjatë viteve të fundit, ajo ka performuar në skena të rëndësishme si Teatro Mario Del Monaco, Teatro di Ferrara, Teatro di Bologna, Palazzo Re Enzo dhe Casa Sanremo, ndërsa rrugëtimi i saj është shtrirë mes Italisë, Berlinit, Belgjikës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Përfshirja në projekte artistike pranë institucioneve si Deutsche Oper Berlin ka ndikuar ndjeshëm në formimin e saj interpretues, duke e ekspozuar herët ndaj disiplinës dhe standardeve të skenave ndërkombëtare.

Në këtë rrugëtim, Isabel ka bashkëpunuar edhe me emra të njohur të muzikës klasike shqiptare, mes tyre pianistja Elda Laro dhe sopranoja Inva Mula, duke ndërtuar gradualisht një profil artistik që kombinon teknikën, talentin dhe prezencën skenike.

Sot, Isabel Eve po konsiderohet si një nga talentet më premtuese shqiptare në muzikën klasike ndërkombëtare. Dhe ndërsa rrugëtimi i saj sapo ka nisur, skena e Arena di Verona duket se ishte vetëm një tjetër hap drejt një karriere që premton të shkojë shumë më larg.