Gjenden trupat e zhdukur të zhytësve italianë, humbën jetën gjatë eksplorimit të një shpelle nënujore në Maldive
Trupat e katër zhytësve italianë që u zhdukën tragjikisht gjatë eksplorimit të një shpelle nënujore në Maldive janë gjetur, konfirmuan për BBC-në zyrtarë italianë dhe të Maldives.
Një trup, që i përkiste një anëtari të pestë të grupit, ishte gjetur më herët pas incidentit të së enjtes.
Shtetasit italianë u gjetën brenda një shpelle 60 metra të thellë nga një ekip i përbashkët zhytësish finlandezë dhe të Maldiveve shumë të trajnuar, sipas autoriteteve lokale.
Një zhytës i ekipeve të shpëtimit humbi jetën gjithashtu të shtunën gjatë kërkimeve për trupat e grupit.
“Zhytje të tjera do të kryhen në ditët në vijim për të rikuperuar trupat,” tha për BBC-në zëdhënësi i qeverisë maldiviane Mohamed Hossain Shareef.
Ngjarja konsiderohet si aksidenti më i rëndë i zhytjes në këtë shtet të vogël të Oqeanit Indian, i njohur si destinacion turistik për shkak të ishujve të tij koralorë.
Katër nga zhytësit italianë ishin pjesë e një ekipi të Universitetit të Genovas, përfshirë profesoreshën e ekologjisë Monica Montefalcone, vajzën e saj dhe dy studiues.
Dyshohet se katër trupat janë gjetur në të njëjtën shpellë nënujore ku ushtria kishte gjetur trupin e parë ditën e aksidentit.
Viktimat janë
- Monica Montefalcone, 51 vjeç, biologe detare e njohur, pedagoge e Ekologjisë Detare Tropikale dhe Shkencës Nënujore në Universitetin e Xhenovës
- Giorgia Sommacal, 20 vjeç, vajza e saj
- Muriel Oddenino, nga Torino
- Gianluca Benedetti, nga Padova
- Federico Gualtieri, nga Borgomanero