Sistem i ri me probleme të vjetra, bizneset ankohen për mosfunksionimin e e-Albania

Nisja sot nga puna të platformës e-Albania me teknologji dhe standarde moderne për aksesim, nuk ka rritur të zgjidhë problematikat me mosfunksionimin e portalit, që tashmë prej muajsh hasin bizneset në vend.

Vetëm pak orë pas nisjes nga puna të platformës së re e-Albania, bizneset kanë nisur të ankohen që portali i ri nuk është funksional për një sërë shërbimesh.

“E-Albania nuk është funksionale dhe sistemi ngec vazhdimisht. Aktualisht paraqitet më problematik se më parë dhe nuk lejon përfundimin e shërbimeve online”, pohon njeri prej tyre.

“Për momentin faturat nuk po shkarkohen, sistemi ka ngecje në funksionim”, thotë një tjetër biznes.

Bizneset pohojnë se po hasin probleme konkrete në platformën e-Albania, si:

-nuk shfaqen taksat e bashkisë dhe sistemi nuk realizon kryqëzimin me databazat e tjera, duke sjellë vonesa dhe vështirësi në marrjen e shërbimeve.

-nuk pranon aplikimet me nënshkrim elektronik, duke shfaqur mesazh gabimi dhe duke penguar përfundimin e procedurave

-nuk shkarkohen faturat

Pak ditë më parë e-Albania njoftoi se portali nuk do të jetë funksional për 3 ditë, përkatësisht për ditët nga 15 deri mëngjesin e 18 Majit, për shkak të përmirësimit të infrastrukturës dhe teknologjisë për aksesimin.