Plagosja e policit, autorët qëlluan nga makina, gjenden 7 gëzhoja në vendngjarje, në kërkim dy vëllezër
Të tjera detaje janë bërë publike pas ngjarjes ku mbeti i plagosur një punonjës i uniformave blu.
Punonjësi i policisë Anxhelo Kumaraku ka qenë jashtë shërbimit duke qëndruar në lagjen e tij në Shkozë përpara shtëpisë së tij në shoqërinë e Kledi Spahi, person me masë arresti shtëpie që gjithashtu jeton në të njëjtën godinë ku konsumonte kafe dhe kishin njohje të hershme me njëri-tjetrin.
Dy persona të tjerë janë afruar vëllezërit Ali dhe Aldo Lika, dhe dyshohet se kanë patur edhe persona të tjerë bashkëpunëtorë. Ata kanë nisur konfliktin me Kledi Spahin, personin të cilin efektivi shoqërohej. Dyshohet se konflikti që pretendohet të vijë për shkak të një borxhi, ka agravuar në përdorimin e armës së zjarrit ku për pasojë është plagosur me dy plumba në pjesën e këmbëve efektivi i policisë.
Klejdi Spahi, 31-vjeç ishte nën masën “arrest shtëpie” për veprën penale, armëmbajtje pa leje.
Policia thote se, nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar me armë zjarri, nga automjeti i tyre, në drejtim të shtetasit Kledi Spahi, i cili ndodhej pranë banesës së tij, bashkë me shtetasit Anxhelo Kumaraku dhe Leonard Doko.
Ngjarja është regjistruar për veprën penale vrasje e mbetur në tentative. Gjatë deklarimeve në polici, punonjësi i plagosur ka pohuar se nuk kishte dijeni se fqinji i tij kishte thyer masën e sigurisë dhe ndodheshin në një rrugicë pranë shtëpisë, pasi me të njihej që në fëmijëri.
Gazetari i Syri tv Fatjon Gjinaj meson se, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 7 gëzhoja, dhe një automjet BMË e vitit 2023, prova materiale që pritet të ndihmojë hetuesit në përcaktimin e armëve të përdorura dhe rindërtimin e dinamikës së plotë të të shtënave.
Kledi Spahi
Njoftimi i plotë i policisë:
Tiranë
Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në mesnatë, në Shkozë.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas (vëllezër), të cilët dyshohet se tentuan të vrisnin me armë zjarri një 31-vjeçar, pranë banesës së tij.
Arrestohet 31-vjeçari, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Nga të shtënat u plagos aksidentalisht në këmbë një 30-vjeçar (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë.
Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për ngjarjen e ndodhur në mesnatë, në Shkozë, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. L., 33 vjeç dhe A. L., 22 vjeç, (vëllezër).
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar me armë zjarri, nga automjeti i tyre, në drejtim të shtetasit K. S., i cili ndodhej pranë banesës së tij, bashkë me shtetasit A. K. dhe L. D.
Nga të shtënat është dëmtuar aksidentalisht në këmbë shtetasi A. K., 30 vjeç (punonjës policie, jashtë shërbimit). Ai po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi K. S., 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Po punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, ndaj punonjësit të Policisë A. K., Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, pasi ky punonjës policie është konstatuar duke u shoqëruar me një person që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar me vendim gjykate për armëmbajtje pa leje, si dhe nuk ka njoftuar shërbimet policore dhe eprorët për rastin në fjalë.