Tenderi për tunelin e Llogarasë/ Erald Elezi dhe Gentjan Gjyli, 2 ish-vartësit e Ballukut paraqiten në GJKKO

Dy ish vartësit e ish zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, ish-drejtuesi i KESH Erald Elezi dhe ish-kreu i ARRSH Gentjan Gjyli janë paraqitur në GJKKO këtë të hënë.

Elezi dhe Gjyli akuzohen për tenderin për tunelin e Llogarasë, çështje për të cilën u mor e pandehur edhe ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku.

Gjatë këqyrjes së telefonave të Ervis Berberit, ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i besuar i Ballukut janë zbuluar mesazhe që sipas SPAK tregojnë se Balluku, ka ndikuar në paracaktimin e kompanive fituese për tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe të gjitha lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.

Ish vartësi i Belinda Ballukut, Evis Berberi u arrestua më 14 mars 2024. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berberi rezulton i përfshirë në raste korruptive me 8 tendera që kapin vlerën e 5 milionë eurove.

SPAK ka dyshime se Berberi, fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë, ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro që janë fituar nga kompania DAAM që drejtohej nga Valter Begaj, por që defakto sipas Prokurorisë, kompania zotërohej prej Berberit. Po kështu, SPAK dyshon se në kohën që Berberi drejtonte ARRSH, e njëjta kompani ka fituar tre tendera të tjerë më vlerë rreth 1 milionë euro.

Hetimet e prokurorisë zbuluan gjithashtu se kjo kompani është përdorur për kalimin drejt saj të sasive të mëdha të parave, nga kompania tjetër, “Net Group”, e sipërmarrësit Begaj, përmes transaksioneve të ndryshme. Paratë e kaluara në favor të kompanisë “Daam”, janë përdorur për të blerë prona të patundshme në emër të kësaj shoqërie. Këto veprime kanë ngritur dyshime për Prokurorët, se gjenden përballë një veprimtarie të pastrimit të parave.

Transaksionet nga “Net Group” drejt shoqërisë “Daam”, në zotërim indirekt nga Berberi, përkojnë, sipas hetimeve, me kohën kur shoqëria “Net Group” rezultoi fituese e disa tenderave të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e energjisë dhe Autoritetit Rrugor, nën drejtimin e Berberit.