Hetimi i BBC: Bizneset britanike po përdoren për pagesat e kalimeve të emigrantëve të paligjshëm me gomon

Një investigim tre mujor i BBC ka zbuluar se kontrabandistët e emigrantëve po përdorin biznese të regjistruara në Britaninë e Madhe për të financuar kalimet ilegale me gomone në Kanalin Anglez. Persona të infiltruar u paraqitën si emigrantë dhe familjarë të tyre për të hyrë në kontakt me rrjetet e trafikantëve në Francë dhe Britani.

Në kampin e emigrantëve pranë Dunkirkut, i njohur si “xhungla”, personat e infiltruar takuan kontrabandistë që ofronin vende në gomone për të kaluar drejt Anglisë. Njëri prej tyre, që prezantohej si Ahmad dhe pretendonte se ishte afgan, u tha se pagesat mund të bëheshin përmes disa bizneseve në Britani, përfshirë një dyqan telefonash në Woolwich të Londrës juglindore. Çmimi për dy persona ishte rreth 2,700 paund.

Më pas, BBC vizitoi disa herë dyqanin e telefonave “Afg Mobile Repair” në Londër dhe filmoi fshehurazi punonjësit duke shpjeguar mënyrën e funksionimit të pagesave.

Ata pranuan se paratë mbaheshin deri në momentin kur emigrantët mbërrinin me sukses në Britani dhe më pas transferoheshin tek kontrabandistët në Francë. Punonjësit thanë gjithashtu se, nëse kalimi dështon, paratë mund të kthehen, megjithëse pranuan rrezikun e madh të udhëtimit dhe mundësinë që varkat të fundosen.

Hetimi zbuloi edhe dy kompani të tjera britanike, një biznes shumice në Neëcastle dhe një lavazh në Cambridgeshire, llogaritë bankare të të cilave dyshohet se përdoreshin për transfertat e lidhura me trafikimin e emigrantëve.

Ahmad u kishte dhënë gazetarëve detaje të sakta bankare për këto kompani. Përveç Britanisë, ai përmendi edhe pika pagese në vende të tjera europiane, si Belgjika dhe Franca.