'Shkodrën e keni sakatu! Ja keni hek të gjitha drejtoritë e gjykatën, e keni shkatërru! 8 orë ban një turist...
Biznesmeni Gjon Dugilaj lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë së kryeministrit Rama duke e cilësuar atë si përgjegjëse për “sakatimin” dhe shkatërrimin e qëllimshëm të Shkodrës. Gjatë dëgjesës për reformën territoriale, mbajtur javën e kaluar në Shkodër ai akuzoi qeverinë për diskriminim të veriut, pasi i janë hequr të gjitha drejtoritë, por edhe duke e “mbytur” në trafik strategji e qëllimshme për izolimin e veriut.
Qytetit verior i janë hequr të gjitha institucionet kyçe, përfshirë drejtoritë dhe gjykatën, një përpjekje e planifikuar për të dëmtuar Shkodrën.
Shkodrën e keni sakatuar, ja keni hequr të gjitha drejtoritë, ja keni hequr gjykatën, e keni shkatërruar. Në qoftë se Elbasan - Tiranë, zotnia e bën shumë shpejt. Një shkodran me shku në Lezhë, ose deri në Durrës, një turist bën 8 orë. Dhe kjo është bërë qëllimisht për ta shkatërruar turizmin në veri dhe për ta shkatërruar Shkodrën.Tjetra, këtu duhet të kishte vetëm njerëz që janë 25 vjeç dhe gra shtatzëna. Ata duhet të flisnin më mirë se askush tjetër. Ne të gjithë këtu, sidomos pjesa që merret me politikë, nuk duhet të ishte prezent. Pse duhet të jeni prezent? Prezent jeni ju, ju që i ndani gjërat në tavolinë në Tiranë dhe na pyesni ne krejt kot. Është si puna e Amerikës me Kinën, që i ndajnë gjërat mandej s'e pyesin Evropën hiç. Në qoftë se ju mendoni për Shkodrën, mendoni që Shkodra është një vend që duhet të ketë pozicionin që ka pasur, duhet t'i ktheni të gjitha drejtoritë në Shkodër dhe duhet të bëni të mundshmen që Milot-Shkodër të ketë një rrugë sa më parë.
Kjo është ajo që shkodranët kërkojnë. Pjesën tjetër e ndërtojnë vetë. Dhe kjo ka bërë që kanë shkatërruar dhe universitetin. Universitetin në të vërtetë e kemi shkatërruar ne, bashkë me ndihmën tuaj. Dhe ka, kjo ka prurë një fukarallëk të jashtëzakonshëm në Shkodër. Pra ajo rini që ishte universitare dhe ajo rini që ishte shkodrane, nuk ekziston më.
Pra kjo ka qenë një ndihmë midis jush edhe nesh. Midis nesh që kishim pak qiratë e shtrenjta, midis profesorëve që i kishin pak çmimet e larta dhe midis jush që nuk krijuat korridore me Dibrën, me Kukësin, me Lezhën, me Mirditën. Dhe një gjë tjetër, kam për ta thënë se jam duke i parë sekondat si Albitri. Në qoftë se Shqipëria do të ecin përpara, o kryetar i kuvendit, o kryeministri, ose presidenti duhet të jenë nga ato zona që nuk janë pushtuar.