Gjeneruan 240 mln euro/ Shkatërrohet rrjeti kriminal, mashtronin me kurimin e sëmundjeve të pashërueshme

Një operacion i gjerë ndërkombëtar i ndërmarrë nga 15 vende çoi në shkatërrimin e një grupi kriminal, të përfshirë në shitjen e suplementeve dhe barnave të falsifikuara në të gjithë Evropën dhe më gjerë.

Autoritetet evropiane bashkëpunuan në hetimin që zbuloi një rrjet të sofistikuar mashtrimi, i cili prej vitit 2019 operonte përmes kompanive të krijuara posaçërisht për tregtimin e produkteve të paautorizuara. Sipas hetimeve, grupi kishte gjeneruar të paktën 240 milionë euro transaksione përmes aktiviteteve të paligjshme.

‘Grupi kriminal shiti mbi 400 suplemente me emra të ndryshëm. Një rrjet shitësish virtualë ndërtoi qindra faqe interneti dhe media sociale, shpesh duke përdorur emrat dhe imazhet e njerëzve të famshëm dhe mjekëve të rremë për të mashtruar viktimat nga i gjithë Bashkimi Evropian dhe më gjerë. Grupi kriminal i trajnoi bashkëpunëtorët e tij për të krijuar llogari të rreme në mediet sociale, për t'i bërë ato të dukeshin legjitime dhe për të shmangur zbulimin nga kompanitë e medieve sociale’, thuhet në njoftimin e Eurojust.

Hetimet zbuluan se operatorët kontaktonin qytetarët pasi ato plotësonin formularë online, duke u prezantuar si profesionistë të shëndetësisë dhe duke i bindur të blinin “trajtime” të rreme. Produktet e shpërndara nuk kishin asnjë efekt mjekësor dhe përmbanin përbërës të ngjashëm, pavarësisht pretendimeve për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.

Autoritetet theksojnë se mashtrimi ka shkaktuar pasoja serioze për shëndetin e viktimave, pasi shumë prej tyre kishin ndërprerë trajtimet e rekomanduara nga mjekët. Kur një produkt merrte shumë ankesa, ai riemërtohej dhe hidhej sërish në treg me një identitet të ri.

Hetimi nisi nga autoritetet rumune, pas denoncimeve të qytetarëve dhe më pas u zgjerua në disa vende evropiane.

Autoritetet kontrolluan 113 lokacione në Bullgari, Greqi, Hungari, Poloni, Rumani dhe Republikën e Moldavisë. Deri më tani iu kërkuan prova kompanive në tetë vende dhe u intervistuan 23 dëshmitarë. Në Rumani, u bllokuan 196 faqe interneti të përdorura për të promovuar dhe shitur suplementet. Gjatë kontrolleve Gjatë kontrolleve në Hungari dhe Rumani, u sekuestruan sasi të mëdha suplementesh dhe tani do të analizohen. Në Bullgari, u identifikua depoja qendrore e grupit kriminal ku u gjetën sasi të mëdha suplementesh që do të analizohen gjithashtu më tej. Në Poloni, u ngrinë asete me vlerë 1.8 milionë euro.

Ekipi i përbashkët hetimor arriti të identifikojë shumicën e anëtarëve të dyshuar të grupit dhe ndaloi disa nga anëtarët kryesorë në Poloni, Rumani dhe Republikën e Moldavisë. Hetimet mbi grupin kriminal do të vazhdojnë, ndërsa do të mblidhen më shumë informacione dhe do të intervistohen më shumë dëshmitarë dhe të dyshuar.