Serie A/ Katër skuadra në ‘luftë’ për dy vende në Champions, kombinimet në javën e fundit të kampionatit

Serie A shkon drejt javës së fundit të saj me një garë të hapur mes katër skuadrave për dy vendet që mbeten në Ligën e Kampioneve, ku kanë siguruar praninë Interi dhe Napoli. Milan, Roma, Komo dhe Juventus janë ekipet që luftojnë për këto pozicione dhe kanë secila shanset e tyre, për të siguruar praninë në turneun më të rëndësishëm për klube në kontinent.

Milani – 70 pikë

Suksesi ndaj Xhenoas ktheu përsëri kuqezinjtë në padronë të fatit të tyre para javës së fundit kundër Kaljarit. Nëse fiton, Milani është në Champions. Në rast të mbylljes me pikë të barabarta, kuqezinjtë janë në avantazh nga ndeshjet direkte ndaj Romës dhe Komos si dhe në ekuilibër me Juventusin.

Roma – 70 pikë

Fitorja në derbi kishte vlerë të dyfishtë për ekipin e Gasperinit, pasi e ngjiti në vendin e katërt. Ashtu si Milani, nëse fiton ndeshjen e fundit ndaj Veronës, është i sigurt për Champions. Në rast barazie pikësh, ndeshjet direkte nuk e shohin të favorizuar me Milanin e Juventusin, por në avantazh ndaj Komos.

Komo – 68 pikë

Ekipi i Fabregas mbetet një hap larg Championsit, duke shpresuar te një gabim i rivalëve, përveç fitores ndaj Kremonezës në ndeshjen e fundit. Në ndeshjet direkte është në barazim me Juventusin, në avantazh ndaj Romës dhe në disavantazh ndaj Milanit.

Juventusi – 68 pikë

Humbja ndaj Fiorentinës ka bërë shanset e bardhezinjve për një vend në Champions minimale. Ndeshja e fundit është derbi ndaj Torinos ku rrezikohet një tjetër shuplakë siç po shkojnë gjërat. I duhet fitore, por edhe që të tjerët më lart të gabojnë. Në përballjet direkte është në ekuilibër me Milanin e Komon dhe në avantazh ndaj Romës.