Katastrofë për Juventusin, shpërthen Spaleti: Mund të mbeteshim edhe jashtë Europës

Juventusi po kalon një nga momentet më të errëta të sezonit dhe humbja e sotme 0-2 ndaj Fiorentinës ka tronditur rëndë ambientin bardhezi.

Disfata në shtëpi i nxori torinezët nga zona e Ligës së Kampioneve, ndërsa trajneri Luçiano Spaleti nuk i kurseu kritikat ndaj skuadrës dhe vetes pas sfidës dramatike.

Tekniku italian pranoi se ekipi nuk arriti të përballonte presionin psikologjik të ndeshjeve vendimtare, duke theksuar se lojtarët u bllokuan mendërisht në momentet më të rëndësishme të sezonit.

Sipas tij, Juventusi tregoi mungesë karakteri dhe kthjelltësie në vendimet në fushë.

Spaleti deklaroi se paraqitjet e mira nuk vlejnë pa rezultatet e duhura dhe se skuadra ka bërë më pak nga sa pritej.

Ai nënvizoi se përgjegjësia bie fillimisht mbi trajnerin, duke pranuar se duhet të analizojë nëse ka bërë gjithçka për ta përgatitur ekipin për këtë presion.

Trajneri kujtoi se Juventusi është ende në garë për Europa League, por paralajmëroi se situata mund të kishte qenë edhe më dramatike.

“Jemi në Europa League; mund të kishim qenë edhe jashtë saj, sepse kështu funksionon. Një klub si Juventusi meriton të jetë në Ligën e Kampionëve, por ka shumë skuadra të forta”, theksoi Spaleti.