Kalimi i kohës në natyrë ndryshon mënyrën si njerëzit e shohin veten

Kalimi i kohës në natyrë nuk përmirëson vetëm humorin. Një studim i madh ndërkombëtar tregon se ai ndryshon edhe mënyrën si njerëzit ndihen për trupin e tyre. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse personat që kalojnë më shumë kohë në natyrë raportojnë kënaqësi më të madhe nga jeta.

Studimi përfshiu mbi 50 mijë persona nga 58 vende të botës, të moshës 18 deri në 99 vjeç, dhe u realizua nga 253 studiues. Ai u drejtua nga profesori i psikologjisë sociale VirenSwami nga Universiteti Anglia Ruskin në Britani.

Sipas studiuesve, natyra ndihmon njerëzit të zhvillojnë një marrëdhënie më pozitive me trupin e tyre. “Vlerësimi i trupit” nënkupton pranimin dhe respektimin e trupit, pa u ndikuar nga standardet jorealiste të bukurisë që promovon shoqëria.

Studimi tregoi se natyra ndikon në këtë proces në dy mënyra kryesore.

E para lidhet me vetëdhembshurinë. Mjediset natyrore krijojnë qetësi mendore dhe ulin stresin, duke i ndihmuar njerëzit të jenë më të butë dhe më pak kritikë ndaj vetes. Kur njerëzit i trajtojnë me mirëkuptim pasiguritë e tyre fizike, ata ndihen më mirë me trupin e tyre.

Mënyra e dytë lidhet me rikuperimin mendor. Jeta në qytet kërkon përqendrim të vazhdueshëm për shkak të trafikut, zhurmës dhe presionit social. Natyra i jep trurit mundësinë të pushojë dhe të rifitojë energji. Personat që ndiheshin më të çlodhur pas kohës në natyrë kishin edhe vlerësim më pozitiv për trupin e tyre dhe kënaqësi më të lartë nga jeta.

Rezultatet ishin pothuajse të njëjta në të gjitha grupmoshat, gjinitë dhe shumicën e vendeve të studiuara, gjë që tregon se lidhja mes natyrës dhe mirëqenies është thellësisht njerëzore.

Studiuesit thonë se këto gjetje tregojnë rëndësinë e hapësirave të gjelbra dhe natyrore për shëndetin publik, sidomos në qytetet e mëdha. Edhe pse studimi nuk provon plotësisht lidhjen shkak-pasojë, madhësia e tij dhe rezultatet e qëndrueshme e bëjnë atë një nga kërkimet më të forta mbi këtë temë.