Aksion blic në burgun 'Kosova e Madhe' në Lushnjë, kontroll në qeli për sende të paligjshme
Një aksion blic po zhvillohet këtë mëngjes të së dielës në Institucionin e Ekzekutimit të Veprave Penale “Kosova e Madhe” në Lushnjë, i cili funksionon si burg i sigurisë së ulët.
Sipas informacioneve paraprake, forca të specializuara kanë hyrë në ambientet e brendshme të institucionit dhe po ushtrojnë kontrolle të imtësishme në blloqet e sigurisë dhe në qelitë e të dënuarve, me fokus në gjetjen e sendeve të paligjshme.
Aksioni po vijon ende dhe nuk janë bërë të ditura detaje zyrtare mbi rezultatet e kontrollit apo nëse janë sekuestruar sende të ndaluara gjatë ndërhyrjes.
Pritet që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të dalë me një njoftim zyrtar pas përfundimit të operacionit, i cili është duke u zhvilluar në mënyrë të papritur dhe nën masa të shtuara sigurie.