Irani niset drejt Antalya-s për përgatitjet e Botërorit 2026, pritet me ankth pajisja me viza

Irani do të nisë të hënën grumbullimin përgatitor në Turqi në prag të Kupës së Botës 2026, që fillon më 11 qershor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmi është konfirmuar nga trajneri Amir Ghalenoei, i cili bëri të ditur se skuadra do të zhvillojë fazën përgatitore në Antalya, aty ku kombëtarja iraniane kishte luajtur edhe ndeshje miqësore në fund të muajit mars.

Lista paraprake përbëhet nga 30 futbollistë, ndërsa më pas do të reduktohet në 26 lojtarë për fazën finale të Botërorit. Mes emrave të grumbulluar spikasin portieri veteran, Alireza Beiranvand i Tractor SC dhe sulmuesi Mehdi Taremi i Olympiacos-it.

Ghalenoei pranoi se përzgjedhja e listës ka qenë një nga vendimet më të vështira në karrierën e tij si trajner.

“Zgjedhja e 30 lojtarëve për këtë grumbullim para Botërorit ishte vendimi teknik më i vështirë i karrierës sime. Lista është hartuar vetëm mbi bazën e kritereve teknike”, deklaroi ai.

Gjatë qëndrimit në Turqi, Irani synon të zhvillojë dy ndeshje miqësore. Deri tani është konfirmuar vetëm përballja ndaj Gambian, më 29 maj.

Një tjetër çështje e rëndësishme gjatë grumbullimit do të jetë procedura për pajisjen me viza amerikane të lojtarëve iranianë. Për këtë temë, sekretari i përgjithshëm i FIFA, Mattias Grafstrom, zhvilloi një takim me presidentin e Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, në Stamboll.

Grafstrom nuk dha detaje konkrete mbi çështjen e vizave, por theksoi se palët diskutuan të gjitha temat operative që lidhen me pjesëmarrjen e Iranit në Botëror.