Artisti dhe Frika - Monolog nga Julia Ilirjani

Sot të gjithë po flasin për servilizmin e artistit… Për artistin që me ndërgjegje bëhet kozmetikë e pushtetit… Për artistin që përdoret…

Por unë dua t'ju flas për diçka tjetër. Unë dua t'ju flas për frikën.

Nëpër tavolina artistësh dëgjoj vazhdimisht fjali që fillojnë me "mos…" "Mos fol… mos e thuaj… mos të të dëgjojnë… mos, se do të lënë pa punë…"

Prandaj dhe në këtë debatin e sotëm kur diskutohet për artistin që i shërben pushtetit, unë shoh frikën. Frikën patologjike, të mbartur brenda nesh, atë bindjen e heshtur se po nuk shërbeve, diçka e keqe do të ndodhë.

Kanë frikë të shfaqen… se kushedi ç’i gjen. Kanë frikë të mos shfaqen… se u heqin atë që kanë!

Dhe nuk janë vetëm artistët, por krejt shoqëria shqiptare që jeton nën frikë… Frika për të folur, frika se mos të thonë gjë, frika për t’u përballur, frika mos të sulmojnë, frika mos të komentojnë… Edhe ai që nuk ka arsye për të pasur frikë; edhe ai që nuk ka rrezik të mbetet për “bukë goje”; frikën vazhdon ta ketë në gjak.

Prandaj kushdo që i merr përdore e i nxjerr të mbështesin pushtetin, nuk ka nevojë as t'i blejë, as t’u bëjë presion. Ai që i përdor ka një aleat shumë më të fortë: frikën e ngulitur që në fëmijërinë e hershme, që në kohën e diktaturës.

Sigurisht që shumë prej artistëve të sotëm nuk e kanë arritur komunizmin. Por nuk ka nevojë ta kenë jetuar personalisht. Ata e kanë njohur diktaturën përmes prindërve të tyre… dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë për të! Sepse ata prindër, të rritur me frikë në zemër, ia kanë përcjellë atë fëmijëve. Dhe këta do ia përcjellin të tyreve. E kështu pa fund.

Ne rrisim fëmijë duke ua dhënë, jo me fjalë, por me gjeste, me sjelljen tonë, frikën nga kushdo më i pushtetshëm se ne.

Artisti supozohet të jetë anti-sistem. Por kjo kërkon prej tij atë lloj lirie që nuk e marrim as nga prindërit, as nuk na e ushqen shkolla, ndërsa sistemi na e krasit pak nga pak.

Dhe kështu frika fle brenda nesh. Jo si urdhër, as si kërcënim, por si refleks. Frika se po nuk shërbeve, po nuk u përule, po nuk duartrokite e brohorite, po nuk e puthe në ballë, po nuk the atë fjalën që pritet nga ty, kushedi çfarë gjëje e keqe mund të ndodhë…

Dhe është pikërisht kjo, jo lakmia, jo karrierizmi, as varfëria… por thjesht frika, që nuk e lë artistin të rritet, dhe as artin shqiptar të shpërthejë.

Madje dhe artistët tanë më të mëdhenj i bën të duken të vegjël.

Sepse të jesh artist i madh nuk do të thotë që je automatikisht edhe njeri i madh. Mund të jesh një aktor i rrallë në luajtjen e jetëve të të tjerëve, në skenë a në ekran, por frika nuk të lë të luash rolin tënd më të rëndësishëm: njeriun e lirë.

Sot diskutojmë për artistët që shërbejnë si makiazh i pushtetit.

Por ndoshta është koha të diskutojmë si ta ndërpresim ciklin e frikës, që po e përcjellim nga brezi në brez.