Itali/ Pasi përplasi këmbësorët me makinë, autori tentoi të arratiset! Sulmoi me thikë kalimtarin
Nga Alba Kepi
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi po ndjekin me vëmendje maksimale ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e sotme në qendër të Modena, në rrugën Emilia. Ata kanë telefonuar edhe kryebashkiakun Massimo Mezzetti për të marrë informacion mbi situatën.
Sipas rindërtimit të parë të ngjarjes, një automjet që lëvizte me shpejtësi të madhe goditi disa këmbësorë në zonën Largo Porta Bologna, përpara se të përfundonte përplasjen ndaj vitrinës së një dyqani. Në timon ishte 31-vjeçari Salim El Koudri, me origjinë marokene, por i lindur në provincën e Bergamos, banues në zonën e Modenës dhe i diplomuar në Ekonomi.
Nga ngjarja mbetën të plagosur të paktën tetë persona, katër prej tyre në gjendje të rëndë. Dy të plagosur u transportuan me helikopter në spitalin Maggiore të Bolonjës, ndërsa dy të tjerë në spitalin Maggiovara të Modenës. Një grua 55-vjeçare ndodhet në gjendje shumë kritike dhe, sipas raportimeve, ka humbur të dyja këmbët pas përplasjes.
Pas aksidentit, autori tentoi të arratisej duke sulmuar me thikë një kalimtar që ndërhyri për ta ndaluar. Falë reagimit të disa qytetarëve, ai u neutralizua dhe iu dorëzua forcave të policisë. Një prej qytetarëve mbeti i plagosur lehtë gjatë përleshjes.
Kryebashkiaku Massimo Mezzetti falënderoi publikisht katër qytetarët që ndërhynë me guxim për të ndalur autorin, duke e cilësuar veprimin e tyre si shembull të jashtëzakonshëm të përgjegjësisë qytetare.
Ndërkohë, kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi në rrjetet sociale se ngjarja është “jashtëzakonisht e rëndë”, duke shprehur solidaritet me të plagosurit dhe familjet e tyre, si dhe falënderime për qytetarët dhe forcat e rendit që ndërhynë menjëherë.
Autori ndodhet aktualisht në pyetje në komisariat, ndërsa autoritetet po hetojnë motivet e këtij akti të rëndë.