Bezhani në vend të Tares? Allegri: Nuk e njoh, me Iglin jemi në sintoni
Në prag të ndeshjes mes Milanit dhe Genoa-s, trajneri Massimiliano Allegri ka folur në konferencën për shtyp, ku është pyetur edhe për çështjet e merkatos dhe të ardhmen e strukturës sportive të klubit kuqezi.
Një nga temat kryesore ishte emri i Viktor Bezhanit, aktualisht te Toulouse, i cili është përmendur në media si një nga kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar Igli Tare në rast ndryshimesh te Milani.
Megjithatë, Allegri zgjodhi të mos zgjatej shumë mbi këtë temë, duke u treguar i rezervuar. “Nuk e njoh”, u shpreh shkurt trajneri italian, duke shmangur komentet e mëtejshme për profilin e drejtorit shqiptar.
Në të njëjtën kohë, tekniku kuqezi theksoi se marrëdhënia dhe bashkëpunimi me Igli Taren ka qenë pozitiv dhe i qëndrueshëm. “Me Taren ka pasur që në fillim shumë sintoni”, shtoi Allegri, duke lënë të kuptohet se në klub vlerësohet stabiliteti në strukturat drejtuese.
Trajneri i Milanit u ndal gjithashtu edhe te deklaratat e drejtuesit të klubit, duke nënvizuar se objektivi i skuadrës mbetet gjithmonë maksimumi. Sipas tij, te Milani kërkohet gjithmonë rezultat i lartë dhe përgjegjësi e madhe, pavarësisht presionit dhe pritshmërive.
“Milani vjen gjithmonë para gjithçkaje. Klubi është mbi të gjithë. Të gjithë jemi kalimtarë dhe duhet të punojmë për të lënë diçka të rëndësishme për klubin”, u shpreh Allegri.
Me sezonin që po hyn në fazën vendimtare, vëmendja te Milani mbetet e ndarë mes objektivave sportive dhe diskutimeve për të ardhmen e strukturës drejtuese.