Teuta siguron mbijetesën në Superiore, Hodo zbulon të ardhmen: Edlir Tetova pritet trajneri i ri
Teuta ka siguruar qëndrimin në Abissnet Superiore pas fitores 1-0 ndaj Pogradecit në finalen e play-out-it, të zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës.
Pas ndeshjes ka folur trajneri i përkohshëm dhe njëkohësisht fituesi i këtij dueli, Bledar Hodo, i cili u shpreh i lehtësuar për arritjen e objektivit kryesor të sezonit, mbijetesën në elitë.
“Kam kaluar momente të vështira, por falë Zotit ia dolëm me sukses. Mendoj se çdo njeri e përjeton ndryshe këtë situatë, por për këtë fanellë kam pasur të njëjtën ndjenjë gjithmonë. Duhet t’u kërkojmë falje tifozëve dhe gjithë ambientit sportiv në Durrës. I tillë është futbolli”, u shpreh Hodo.
Ai foli edhe për të ardhmen e pankinës së Teutës, duke lënë të kuptohet se ndryshime të rëndësishme po vijnë në klub. I pyetur për trajnerin e ri, Hodo tha se nuk dëshironte ta bënte zyrtare lajmin, por gjithsesi la të kuptohet qartë drejtimin që po merr klubi.
“Mirë është që këtë lajm të mos e jap unë, por sipas asaj që di, Edlir Tetova do të jetë trajneri i ardhshëm i Teutës”, deklaroi Hodo.
Me këtë deklaratë, Teuta jo vetëm që siguron mbijetesën në Superiore, por paralajmëron edhe një fazë të re në projektin sportiv për sezonin e ardhshëm.