VIDEO/ Mediu: Italia ka shqetësim të madh për ndikimin e krimit të organizuar në Shqipëri
Kryetari i PR-së dhe njëkohësisht deputeti, Fatmir Mediu, deklaroi se përfaqësues të institucioneve italiane kanë shprehur shqetësim të madh për ndikimin e krimit të organizuar dhe karteleve të drogës në Shqipëri.
Në një intervistë për Edicionin e Pasdites në SYRI TV me moderatoren Eneida Ndoci, Mediu tha se diskutimet janë zhvilluar gjatë një aktiviteti të mbajtur në Parlamentin Italian, ku, sipas tij, morën pjesë parlamentarë nga mbi 40 shtete të Bashkimit Europian dhe vende të tjera, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Sipas Mediut, në takimet me përfaqësues të palës italiane është ngritur shqetësimi për rritjen e ndikimit të krimit të organizuar dhe lidhjet me kartelet e drogës, çështje që, sipas tij, prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe vende të tjera europiane si Italia, Holanda, Spanja dhe Britania e Madhe.
‘Shiko, ju i referoheni gjithmonë Parlamentit italian. Vendi ku u bë aktiviteti ishte Parlamenti italian, kurse aty ishin pjesëmarrës mbi 40 shtete, domethënë parlamentarë nga 40 shtete të Bashkimit Europian dhe disa vende të tjera, sepse Asambleja Parlamentare e OSBE-së është shumë e gjerë. Kishte dhe përfaqësues të komisionit të hetimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dhe dua ta theksoj edhe njëherë që, domethënë, në bisedat që ne kishim edhe me përfaqësues të palës italiane, ata kanë një shqetësim jashtëzakonisht të madh përsa i përket influencës së krimit të organizuar dhe karteleve të drogës në Shqipëri. Biles, në një bisedë me drejtorin e zbulimit Quintavalle, domethënë, shqetësimi i tyre ishte aq i madh, sepse në atë që kishin bërë në një vizitë që kishin zhvilluar në Ekuador, shqetësimi i autoriteteve ekuadoriane përsa i përket karteleve të drogës lidhur me mafien shqiptare ishte jashtëzakonisht i madh.
Dhe padyshim, duke qenë një vend i cili ka pasur probleme të vazhdueshme përsa i përket trafikut të drogës dhe mafias, Italia këtë lidhje e njeh dhe, do të them, ndoshta është vendi që më mirë se kushdo tjetër e njeh se çfarë ndodh në Shqipëri. Dhe shqetësimi i tyre është për një rritje të krimit të organizuar, të trafikut të drogës dhe lidhjeve me kartelet e drogës në Shqipëri, e cila ka efekte jo vetëm në Shqipëri, por edhe në territorin tjetër të Bashkimit Europian: Itali, Hollandë, Spanjë, Britania e Madhe e kështu me radhë. Pra, është një situatë që është jashtëzakonisht problematike.
Pastaj problemi i Shqipërisë bëhet akoma dhe më specifik. Dhe ajo çka thatë ju nuk është një përfundim i imi. Domethënë, po të lexosh raportin e OSBE/ODIHR-it, ai shprehet qartë se çfarë ka ndodhur në zgjedhje, jo vetëm se si është përdorur shteti, por dhe si krimi i organizuar ka intimiduar votuesit dhe ka arritur të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, biles, domethënë, të mbështesë në mënyrë të qartë kandidatë për deputetë të Partisë Socialiste.
Shiko, këto banda nuk janë se veprojnë të veçuara. Këto banda veprojnë në mënyrë të koordinuar. Veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të mbështetur. Domethënë, pa një mbështetje nga shteti, nga policia, këto banda nuk mund të funksionojnë. Dhe në këtë pikëpamje, problemi më i madh është tek qeverisja e vendit.
Dhe ky është një raport që krijohet. Domethënë, para zgjedhjeve krijohet ky lloj bashkëpunimi për të gjetur mbështetjen e bandave, për të fituar zgjedhjet dhe mbas zgjedhjeve i krijohet gjithë toleranca e nevojshme bandave për të bërë atë çka duan në territorin e Shqipërisë, qoftë nëpërmjet investimeve, qoftë edhe nëpërmjet aktiviteteve kriminale.
Dhe historia ka provuar që, domethënë, me fakte konkrete, që këto tashmë janë jo vetëm prezente, por kanë një pushtet dhe autoritet të jashtëzakonshëm vendimmarrës. Pra, nuk shkojnë më, të them unë, politikanët për të, ose nuk shkojnë më banditët për të kërkuar ndihmë te politikanët, por janë politikanët që po shkojnë dhe, domethënë, po i nënshtrohen banditëve dhe kjo është situata në Shqipëri’, tha Fatmir Mediu ndër të tjera në SYRI TV.