Lewandowski largohet nga Barcelona: Po iki me ndjesinë se e kam përmbushur misionin tim
Robert Lewandowski ka njoftuar largimin nga Barcelona pas katër sezonesh me fanellën ‘blaugrana’. Sulmuesi polak e bëri publik vendimin përmes një videoje emocionale në rrjetet sociale, ku konfirmoi se nuk do të vazhdojë te Barcelona sezonin e ardhshëm.
Kontrata e Lewandowskit skadonte në muajin qershor dhe tashmë aventura e tij në Katalunjë ka marrë fund. Gjatë qëndrimit te Barcelona, sulmuesi arriti të fitonte shtatë trofe dhe edhe çmimin “Pichichi”, duke qenë një nga figurat kryesore të skuadrës që prej transferimit nga Bayerni në verën e vitit 2022.
“Pas katër vitesh plot sfida, përpjekje dhe momente të paharrueshme, ka ardhur koha për të ecur përpara. Po largohem me ndjesinë se e kam përmbushur misionin tim. Ishin katër sezone intensive, ku fituam trofe dhe rikthyem Barcelonën aty ku e meriton. Nuk do ta harroj kurrë dashurinë dhe mbështetjen që mora nga tifozët që nga dita e parë. Katalunja do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time”, shkroi Lewandowski.
Menjëherë pas njoftimit, Barcelona reagoi me një mesazh falënderues për sulmuesin polak: “Erdhi si një ‘yll’, largohet si një legjendë. Faleminderit për çdo gol, çdo betejë dhe çdo moment magjik me këto ngjyra”.
Lewandowski pati edhe fjalë të veçanta për presidentin Joan Laporta, i cili ishte një nga njerëzit kryesorë që realizoi transferimin e tij te klubi katalanas.
“Dua ta falënderoj veçanërisht Laportën që më dha mundësinë të përjetoja një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës sime. Ky klub ka një të ardhme të ndritur dhe jam krenar që kam kontribuar në rritjen e tij. Barcelona është rikthyer aty ku i takon”, shtoi sulmuesi.
Videoja e publikuar nga Lewandowski përmbledh momentet më të rëndësishme të aventurës së tij me Barcelonën, duke përfshirë prezantimin, festimet e trofeve, golat e rëndësishëm dhe çastet me familjen në “Spotify Camp Nou”. Tifozët pritet t’i rezervojnë një lamtumirë speciale sulmuesit në ndeshjen e fundit në stadiumin katalanas.