Euro U-21 2027/ ‘Air Albania’ drejt transformimit, stadiumi do të rikonstruktohet për finalet europiane

Shqipëria po përgatitet për organizimin e Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027, një nga aktivitetet më të rëndësishme të futbollit europian pas Europianit të ekipeve A. Në funksion të këtij eventi madhor, stadiumi “Air Albania” do të përfshihet në një proces të gjerë rikonstruksioni.

Projekti parashikon ndërhyrje në bazamentin e fushës, si edhe zëvendësimin e tapetit ekzistues me një sipërfaqe moderne, në mënyrë që impianti të plotësojë të gjitha kriteret e vendosura nga UEFA për organizimin e ndeshjeve dhe finaleve të Euro U-21 2027.

Vendimet për kompanitë që do të realizojnë punimet janë miratuar në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Për pjesën që lidhet me rikonstruksionin e bazamentit të fushës është përzgjedhur kompania “Everest sh.p.k”, e cila ka kaluar me sukses procedurat e prokurimit dhe ka plotësuar kërkesat teknike e ligjore.

Ndërkaq, instalimi i tapetit të ri me bar hibrid do të realizohet nga kompania “Hatko Sports International L.L.C – FZ”, e njohur ndërkombëtarisht për eksperiencën në ndërtimin e fushave sportive sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s.

Me këto investime, “Air Albania” synon të jetë një nga impiantet më moderne të rajonit për pritjen e ndeshjeve të Europianit U-21 në vitin 2027.