SYRI TV/ 35-vjetori i grevës së Bashkimit të Sindikatave, Berisha: Grevistët heronj përballë regjimit

Në 35-vjetorin e Grevës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, lideri i opozitës, Sali Berisha, tha se sindikalistët e grevistët, të udhëhequr nga Gëzim Kalaja, qëndruan si heronj përballë regjimit komunist. Berisha shtoi se edhe sot Shqipëria është në një diktaturë të dytë autoritare, me një regjim kolonial që plaçkit shqiptarët. Ai dënoi dekorimin që kryeministri Rama i bëri, përmes Akademisë së Arteve, të atit të tij, Xhelat Kristaq Rama, ndërsa theksoi se koha thërret sërish për beteja e kushtrim, duke shprehur bindjen për triumfin e qytetarëve.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, mori pjesë në aktivitetin e 35-vjetorit të Grevës së Përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, nga ku vlerësoi rolin e sindikatave dhe grevistëve të udhëhequr nga Gëzim Kalaja. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se ata u shndërruan në mburojën më të fuqishme të pluralizmit dhe qëndruan si heronj përballë regjimit komunist.

Berisha tërhoqi paralele mes regjimit diktatorial të 35 viteve më parë dhe asaj që e cilëson si diktaturë autoritare, e instaluar nga Edi Rama në Shqipëri, e cila po vjedh dhe plaçkit shqiptarët. Kryedemokrati dënoi dekorimin që Rama i bëri të atit të tij, duke përdorur Akademinë e Arteve, dhe bëri një paralajmërim të fortë për të.

Lideri i opozitës tha se koha thërret sërish për kryengritje e kushtrim, ndërsa shprehu bindjen se, ndonëse beteja është e vështirë, ajo do të fitohet.

Në këtë aktivitet, kreu i sindikatave, Gëzim Kalaja, përkujtoi këtë ngjarje që shënoi historinë e pluralizmit në Shqipëri, ndërsa përmes një dokumentari u soll në vëmendje historiku i 36-vjetorit të grevës së sindikalistëve.