Çelet në Galerinë e Arteve 'Eduart Lear' ekspozita 'Identitete në tranzicion' nga piktori beratas Ermal Mbrakulli

Në Galerinë e Arteve “Eduart Lear” në Berat është çelur mbrëmjen e djeshme ekspozita vetjake e piktorit beratas Ermal Mbrakulli, me titullin “Identitete në tranzicion”. Ky është ekspozita e parë personale e artistit, pas pjesëmarrjes së tij në disa ekspozita të përbashkëta me piktorë të tjerë.

Ekspozita sjell përballjen e individit me shoqërinë dhe reflektimin mbi kalimin nga regjimi komunist drejt një realiteti ende të papërfunduar demokratik. Në formën e një harte kujtese dhe tensioni, 30 punimet e Mbrakullit përfshirë tablo, vizatime dhe kolazhe shpalosin gjurmët e tranzicionit mbi identitetin personal dhe kolektiv të shqiptarëve.

Punimet trajtojnë problematika të ndryshme shoqërore, si ngujimi, të pastrehët dhe dualiteti i individit në një shoqëri në ndryshim. Artistikisht, tablotë janë realizuar në vaj dhe akrilik, vizatimet me laps dhe pastel, ndërsa kolazhet përdorin materiale të ndryshme për të sjellë mesazhe të thella mbi realitetin dhe surrealitetin shqiptar.

Piktori Ermal Mbrakulli tha për ekspozitën:

“Është kënaqësi të jem sot në qytetin tim të lindjes dhe të çel ekspozitën time të parë, pasi ky është qyteti ku jam rritur dhe jam formuar artistikisht. Kjo ekspozitë lindi si një reflektim mbi tranzicionin e tejzgjatur që po kalon Shqipëria dhe ngjarjet historike që kemi përjetuar, ku më e rëndësishmja është kalimi nga regjimi komunist në demokraci. Në ekspozitat e ardhshme synoj të sjell teknika të reja, varësisht nga temat që trajtoj.”

Ekspozita “Identitete në tranzicion” mbetet e hapur për vizitorët në Galerinë e Arteve “Eduart Lear”, duke ofruar një pasqyrë artistike mbi ndryshimet historike dhe sociale të Shqipërisë.