Donald Trump zbulon bisedat me Xi Jinping për lirimin e Jimmy Lai dhe pastorit Ezra Jin Mingri
Presidenti i SHBA, Donald Trump, zbuloi se ka diskutuar gjerësisht me presidentin kinez Xi Jinping mundësinë e lirimit të ish-manjatit të mediave në Hong Kong, Jimmy Lai, si dhe të pastorit Ezra Jin Mingri.
Sipas Trump, përgjigjja e Pekinit për çështjen e Lai nuk ishte pozitive, ndërsa për rastin e pastorit ai u shfaq më optimist.
Në një intervistë për Fox News dhe gazetarin Bret Baier, Trump deklaroi se ia kishte ngritur disa herë Xi Jinping çështjen e lirimit të Jimmy Lai.
“I thashë: ‘Do ta vlerësoja nëse do ta lironit. Është në moshë të thyer dhe ndoshta nuk ndihet shumë mirë. Do të ishte gjë e mirë’”, u shpreh ai.
Megjithatë, presidenti amerikan pranoi se nuk ndihej optimist për rezultatin e kësaj çështjeje.
“Nuk u ndjeva optimist. Duhet të jem i sinqertë me ju për këtë”, deklaroi Trump, duke shtuar se e kishte ngritur këtë temë të paktën dy herë gjatë bisedave me presidentin kinez.
Dënim me 20 vite burg për Jimmy Lai
78-vjeçari Jimmy Lai u dënua më herët këtë vit me 20 vite burg, pasi u shpall fajtor për shkelje të ligjit të sigurisë kombëtare dhe për rebelim.
Rasti i tij është ndjekur nga afër nga liderë perëndimorë dhe organizata të të drejtave të njeriut, pasi Lai konsiderohet një nga figurat më simbolike të lëvizjes prodemokratike në Hong Kong.
Miliarderi ishte ndër kritikët më të njohur të qeverisë kineze që u përballën me ndjekje penale pas vendosjes nga Pekini, në vitin 2020, të ligjit për sigurinë kombëtare në qytetin gjysmë-autonom.
Ndryshe nga rasti i Jimmy Lai, presidenti amerikan u shfaq më optimist për mundësinë e lirimit të pastorit Ezra Jin Mingri, i cili u arrestua në kuadër të një vale represioni ndaj komuniteteve fetare në rajone të ndryshme të Kinës.
“Për tjetrin, mendoj se mund të ketë një shqyrtim shumë serioz”, tha Trump.
Si Pekini, ashtu edhe qeveria e Hong Kongut kanë refuzuar vazhdimisht kritikat ndërkombëtare lidhur me ndjekjen penale ndaj Jimmy Lai.
Autoritetet kineze argumentojnë se çështja lidhet me sigurinë kombëtare dhe hedhin poshtë pretendimet se burgosja e tij ka motive politike apo se përbën goditje ndaj lirisë së medias.