EMRAT/ Shefi i komisariatit Sarandë dhe 3 oficerë drejtues në pranga për ndërtim pa leje
Një operacion i Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka çuar në arrestimin e disa punonjësve të policisë në Sarandë, pas dyshimeve për përfshirje në një rast ndërtimi të paligjshëm në zonën bregdetare.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka nisur pas një informacioni të mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku denoncohej një ndërtim pa leje në lagjen nr. 1 të Sarandës, në një hapësirë plazhi, pjesërisht edhe në ujë.
Në objektin ku kryheshin punimet u arrestuan në flagrancë 8 shtetas, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim si posedues i hapësirës së plazhit, për llogari të së cilit dyshohet se po zhvillohej ndërtimi i paligjshëm.
Pas ndërhyrjes së institucioneve përkatëse, përfshirë IKMT, IMT dhe Policinë Bashkiake, ndërtimet u prishën.
Hetimet më pas u thelluan nga AMP në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, duke çuar në ndalimin e katër punonjësve të policisë:
Komisar Gëzim Bashllari, shef i Komisariatit të Policisë Sarandë
Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
Inspektor Robert Çullaj, specialist zone
Ata dyshohen për veprat penale ‘shpërdorim detyre’, ‘kryerja e veprimeve arbitrare’ dhe ‘mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme’, të kryera në bashkëpunim.
Sipas Policisë së Shtetit, dyshimet nuk lidhen vetëm me këtë rast, por edhe me veprime të mëparshme të mundshme gjatë ushtrimit të detyrës.
Pas arrestimeve, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka pezulluar menjëherë katër punonjësit e ndaluar dhe ka urdhëruar nisjen e procedurave për përjashtimin e tyre nga radhët e policisë, duke vlerësuar se shkeljet kanë sjellë pasoja të rënda në zbatimin e ligjit dhe imazhin e institucionit.
Gjithashtu është pezulluar edhe shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Sarandës, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore të AMP-së.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë dhe rolin e secilit person të përfshirë në rast.