Tragjedi në futbollin spanjoll, ndërron jetë papritur arbitri 22-vjeçar
Futbolli në provincën e Ávilës është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Arbitri i ri Ismail Bouissa ka ndërruar jetë papritur në moshën 22-vjeçare, duke lënë në zi komunitetin sportiv dhe të gjithë ata që e njihnin.
Sipas raportimeve nga Spanja, gjithçka dyshohet të ketë ndodhur për shkaqe natyrale, megjithëse humbja e tij ka shkaktuar dhimbje të madhe te kolegët, klubet dhe tifozët në futbollin lokal.
Bouissa, me origjinë marokene dhe banues në Madrid, ishte pjesë e Komitetit të Arbitrave të Ávilës dhe konsiderohej një nga arbitrat më të dashur në zonë. Ai vlerësohej për përkushtimin, seriozitetin dhe pasionin që tregonte në çdo ndeshje.
Pas lajmit tragjik, shumë klube spanjolle reaguan në rrjetet sociale për t’i dhënë lamtumirën arbitrit të ri. Deportivo Arenas e kujtoi atë si një djalë që “luftoi deri në fund” dhe që ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm në futbollin lokal.
Ndërkohë, Castilla y Leon Football Federation dhe Komiteti i Arbitrave publikuan një mesazh ngushëllimi për familjen dhe miqtë e Bouissas.
“Futbolli i Ávilës qan humbjen e arbitrit të ri Ismail Bouissa dhe i qëndron pranë familjes, kolegëve dhe miqve të tij në këtë moment të vështirë”, thuhej në reagimin zyrtar.
Vdekja e arbitrit 22-vjeçar ka tronditur gjithë futbollin rajonal në Spanjë, ndërsa shumë persona kanë zgjedhur ta kujtojnë për buzëqeshjen, sjelljen dhe dashurinë e madhe për futbollin.