Besnikëria e Rrahmanit: Shtëpia ime e parë nuk është më Kosova, por Napoli
Mbrojtësi i Napolit dhe Kosovës, Amir Rrahmani, ka shprehur edhe një herë dashurinë e tij për klubin italian dhe qytetin e Napolit, duke deklaruar se tashmë ndihet më shumë si në shtëpi aty sesa në Kosovë.
Në një intervistë për “Radio CRC”, qendërmbrojtësi shqiptar foli për rrugëtimin e tij te Napoli dhe objektivat e skuadrës në fundin e sezonit.
“Pas kaq shumë vitesh në Napoli, mund të them se shtëpia ime e parë nuk është më në Kosovë, por këtu”, deklaroi Rrahmani.
Mbrojtësi foli edhe për objektivin personal të paraqitjeve me fanellën e Napolit.
“Sa më shumë ndeshje të luaj, aq më mirë është për mua dhe për klubin, sepse do të thotë se jam në gjendje ta ndihmoj skuadrën”, u shpreh ai.
Rrahmani theksoi rëndësinë e sfidës ndaj Pisa, ku Napoli synon tri pikë për të siguruar një vend në Champions League.
“Ndeshja me Pisa-n është shumë e rëndësishme. Na duhen tri pikë dhe nuk duhet ta shtyjmë objektivin për në ndeshjen e fundit”, deklaroi kapiteni i Kosovës.
Duke komentuar periudhën e vështirë të skuadrës, ai pranoi se dëmtimet kanë ndikuar shumë gjatë këtij sezoni.
“Ky ka qenë një sezon i veçantë në shumë aspekte, sidomos për shkak të dëmtimeve dhe zgjidhjeve që na është dashur të gjejmë. Nuk ka qenë e lehtë”, tha Rrahmani.
Mbrojtësi kosovar analizoi edhe humbjen ndaj Bologna-s, duke pranuar se skuadra nuk kishte hyrë në fushë me qasjen e duhur.
“Qasja në fushë është shumë e rëndësishme dhe ndaj Bolonga-s nuk ishte ajo e duhura. Do të mundohemi të mos i përsërisim të njëjtat gabime”, shtoi ai.
Rrahmani foli edhe për sulmuesit më të vështirë që ka përballuar, ndërsa përmendi bashkëlojtarët Giovane dhe Alisson Santos si lojtarë shumë të fortë në stërvitje.
Në fund, ai falënderoi tifozët napolitanë për mbështetjen.
“Tifozët e vërtetë janë gjithmonë pranë nesh, pavarësisht rezultateve pozitive apo negative”, përfundoi Rrahmani.