Zyrtare/ Bayerni blindon portën, Neuer dhe Ulreich rinovojnë deri në vitin 2027

Bayerni ka vendosur të forcojë vazhdimësinë në portë duke rinovuar kontratat e dy portierëve veteranë, Manuel Neuer dhe Sven Ulreich, deri më 30 qershor 2027.

Dyshja me shumë eksperiencë do të vazhdojë të udhëheqë repartin e portës në “Allianz Arena”, ndërsa klubi gjerman po përgatit gradualisht edhe të ardhmen me talentin e ri Jonas Urbig, i cili shihet si pasardhësi i mundshëm i gjeneratës së re.

Presidenti i klubit, Herbert Hainer, vlerësoi maksimalisht figurën e Neuer, duke e cilësuar si një nga portierët më të mëdhenj në historinë e Bayern-it dhe një lider brenda dhe jashtë fushës. Edhe drejtuesi ekzekutiv, Jan-Christian Dreesen, e quajti transferimin e tij një nga më të suksesshmit në historinë e klubit.

Me afro 600 ndeshje të luajtura dhe një sezon të 16-të që po afron, Neuer vazhdon të mbetet një pikë referimi absolute për skuadrën bavareze. Dreesen gjithashtu vlerësoi lart stabilitetin e Ulreich, duke e përshkruar çiftin si “të denjë për historinë e klubit”.

Në projektin sportiv është përfshirë edhe drejtori sportiv Max Eberl, i cili theksoi se Bayern ka një plan të qartë për portën, ku eksperienca e dy veteranëve do të ndihmojë zhvillimin e Urbig.

Nga ana e tij, Neuer u shpreh i kënaqur me rinovimin dhe motivimin e tij të vazhdueshëm: “Këtu kemi gjithçka për të fituar dhe çdo ditë në Säbener Straße më jep energji”.